Drita nuk ndalet në merkato, zyrtarizon mbrojtësin Altin Bytyçi NULL NULL 22.06.2026 19:42 22.06.2026 19:42 Kampionia e Kosovës, Drita, ka vazhduar përforcimin e skuadrës për sezonin e ri, duke zyrtarizuar transferimin e qendërmbrojtësit Altin Bytyçi. Mbrojtësi 25-vjeçar i bashkohet ekipit gjilanas pas aventurës së tij te Partizani i Tiranës, ku luajti që nga viti 2023. Te klubi shqiptar ai ishte transferuar nga Kukësi për shumën prej 95 mijë eurosh. Gjatë karrierës së tij, Bytyçi ka veshur edhe fanellat e Besës së Pejës, Laçit dhe Kukësit, duke fituar përvojë të konsiderueshme në futbollin shqiptar dhe atë kosovar. Në njoftimin e klubit, Drita e ka vlerësuar transferimin e mbrojtësit si një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv. “Bytyçi, qendërmbrojtës nga Kosova, i bashkohet klubit tonë për të forcuar repartin defensiv dhe për të sjellë cilësi, përvojë dhe karakter në skuadër. Me paraqitjet e tij në futbollin elitar, Altini vjen te Drita me motiv të lartë për të dhënë kontributin e tij në objektivat e klubit”, thuhet në njoftimin e klubit gjilanas. Drita i ka uruar mirëseardhje futbollistit, duke shpresuar që ai të japë kontribut të rëndësishëm me fanellën bardhekaltër. Bytyçi është një nga afrimet e fundit të kampionëve të Kosovës, të cilët më herët kanë siguruar edhe shërbimet e Igball Jasharit dhe Agan Mjakit.