Dogana e Kosovës ndër 10 vendet më të suksesshme në operacionin “STOP IV” NULL NULL 24.03.2026 12:22 24.03.2026 12:22 Dogana e Kosovës po merr pjesë në Sesionin e 46-të të Komitetit të Zbatimit të Organizata Botërore e Doganave, i cili po zhvillohet në Bruksel. Dogana, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ky sesion shërben si platformë kyçe për diskutimin e prioriteteve strategjike dhe operacionale në fushën e zbatimit doganor. Në fokus janë përmirësimi i kornizës rregullative, zhvillimi i instrumenteve moderne të zbatimit, si dhe rritja e përdorimit të teknologjisë dhe analizës së të dhënave në proceset operative, transmeton Klankosova.tv. Pos tjerash, në njoftim theksohet se kontributi i Doganës së Kosovës në këtë kuadër reflektohet edhe në rezultate konkrete. “Në operacionin ndërkombëtar “STOP IV” të Organizata Botërore e Doganave, Kosova është renditur e 7-ta nga 119 shtete pjesëmarrëse, në luftën kundër mallrave të falsifikuara. Ky pozicionim nënvizon përkushtimin institucional dhe kapacitetet profesionale në zbatimin efektiv të ligjit dhe mbrojtjen e tregut”, thuhet në njoftim. Pjesëmarrja aktive në këto mekanizma ndërkombëtarë konfirmon rolin e Doganës së Kosovës si një partnere e besueshme dhe kontribuese në kuadër të Organizata Botërore e Doganave, e angazhuar në avancimin e standardeve doganore dhe në forcimin e bashkëpunimit global kundër aktiviteteve të paligjshme. I themeluar në vitin 1983, Komiteti i Zbatimit mbetet një nga organet më të rëndësishme statutore të organizatës.