Gara: Serbia vazhdon të bllokojë zbardhjen e fatit të të zhdukurve, në Batajnicë dyshohet edhe për 58 viktima NULL NULL 27.06.2026 14:11 27.06.2026 14:11 Gërmime në Kishnicë për varrezë masive. Foto: Arkiv Qasja në arkivat e institucioneve të Serbisë dhe vazhdimi i gërmimeve në lokacionet e shënjuara në territorin serb mbeten dy nga kërkesat kryesore të Kosovës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës. Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha në një intervistë për Ekonomia Online se lokacioni i Batajnicës vazhdon të mbetet prioritet, pasi ekzistojnë të dhëna se aty mund të ndodhen mbetjet mortore edhe të të paktën 58 viktimave të tjera. Gara tha se pas shumë përpjekjeve për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të 2 majit, në fillim të këtij viti është mbajtur takimi i parë i Komisionit të Përbashkët, ndërsa më pas edhe një takim tjetër në nivel pune, transmeton Klankosova.tv. “Pas shumë përpjekjeve në zbatim edhe të deklaratës të datës 2 maj, të Deklaratës për persona të zhdukur, pas shumë përpjekjeve në mënyrë të veçantë nga ana e delegacionit të Kosovës, është shumë e rëndësishme që në fillim të këtij viti, diku më 22 janar, është mbajtur takimi i parë i Komisionit të Përbashkët në kuptim edhe të zyrtarizimit apo inaugurimit të Komisionit si mekanizëm që parashihet në Deklaratën e datës 2 maj. Takimi i radhës, pastaj, takimi po e them në një nivel të punës, pra takimi punues në nivel të zëvendësuesve është mbajtur në muajin prill dhe sigurisht edhe në zbatim të deklaratës apo në adresim të zotimeve që derivojnë nga deklarata e përbashkët, i kemi theksuar në vazhdimësi kërkesat të cilat janë prezantuar gjatë atij takimi. Por edhe në vazhdimësi gjatë të gjitha takimeve dialoguese edhe në nivelin e dialogut në Bruksel, por edhe në nivelet e dialogut apo takimeve në kuadër të mekanizmave të tjerë ekzistues, qoftë i grupit rajonal për persona të zhdukur apo edhe i grupit punues që funksionon nga viti 2004″, tha ai. Sipas Garës, Kosova ka paraqitur vazhdimisht kërkesat ndaj Serbisë, duke i konsideruar dy si themelore. “Në qoftë se mund të përmbledh janë dy kërkesa kyçe. E para është gjithsesi kërkesa për qasje të plotë në arkivat e institucioneve të Serbisë mbi të gjitha në këtë rast arkivave të ushtrisë jugosllave duke theksuar ose duke e vënë me theks të veçantë apo me prioritet kërkesën e kryetarit të delegacionit të Kosovës, z. Hoti, më 1 qershor 2023 pra diku një muaj pas miratimit të deklaratës, e adresuar për presidentin e Serbisë, po ashtu edhe për BE-në, përmes të cilës kërkohej një qasje e plotë në arkivin e riklasifikuar të brigadës së motorizuar 37 përgjegjëse për krimet e përmasave gjenocidiale të kryera nga Serbia në territorin e Kosovës, në regjionin e Drenicës. Dhe kjo lidhet pikërisht me disa prej gërmimeve apo lokacioneve që ne i kishim të them duke i kryer ose realizuar në këtë zonë e po ashtu lidhej edhe me varret masive në territorin e Serbisë, në regjionin e Rashkës”, tha ai. Duke folur për varrezat masive të zbuluara në Serbi, Gara tha se deri tani në regjionin e Rashkës janë konfirmuar dy lokacione të varrezave masive në Rudnicë dhe Kizhevak, ku pas gërmimeve të realizuara ndër vite janë zhvarrosur mbetjet mortore të 61 viktimave të luftës, kryesisht nga masakrat e Rezallës, Qikatovës së Vjetër dhe Zabelit të Ulët. Gara ka theksuar se të dhënat e publikuara nga institucionet serbe në vitin 2010 flisnin për rreth 250 viktima të mundshme në varrezat masive në rajonin e Rashkës, çka sipas tij tregon se ekzistojnë ende lokacione të tjera të paadresuara. “Tanimë i kemi dy raste të konfirmuara pra fjala është për lokacionin Gurorja në Rudnicë dhe lokacionin në afërsi të ish Minierës në Kizhevak, dhe nga këto dy lokacione pra nga gërmimet që janë realizuar, për një periudhë diku 10 vite për shkak të politizimit të vazhdueshëm ndaj këtij procesi nga pala serbe, pra ka ndodhur kjo vonesa për më shumë se 10 vjet në këto dy lokacione. Kanë ndodhur zhvarrime dhe gjetja e mbetjeve mortore ose kufomave të 61 viktimave të luftës kryesisht nga masakra e Rezallës, masakra e Qikatovës së Vjetër dhe Zabeli i Ulët. Sigurisht që në qoftë se i referohemi të dhënave që në vitin 2010 pra kur ishte rikthyer në agjendë lokacioni i Rashkës, të dhënat që vijnë pikërisht në mediat edhe në Serbi pra deklaratat zyrtare të zyrtarëve të institucioneve të Serbisë si komisioni qeveritar apo edhe prokurorisë për krime lufte, pritej që në këtë lokacion të gjenden sipas të dhënave gjithmonë të vitit 2010 , mbetjet mortore ose kufomat e të diku 250 viktimave. Pra aktualisht ne po flasim për 61 viktima që janë zhvarrosur nga ky regjion”. “Pra rrjedhimisht i bie që ka edhe një sërë lokacionesh në këtë zonë ose në këtë hapësirë prandaj edhe ky regjion mbetet gjithsesi me shumë prioritet ose pjesë e agjendës dhe krahas kërkesës për qasje të plotë në arkivat e institucioneve të Serbisë sigurisht mbetet edhe kërkesa për rikthim sa më parë në lokacionet tashmë të shënjuara në territorin e Serbisë. Po themi rikthim në këtë rast po i referohemi lokacioneve të cilat janë iniciuar por me sa duket gërmimet ose vlerësimet nuk kanë përfunduar ende në mënyrë të veçantë lokacione si në regjionin e Rashkës dhe në regjionin e Novi Pazarit apo edhe rikthim apo fillim të gërmimeve në lokacione tashmë të shënjuara për të cilat ende nuk ka pasur asnjë vlerësim deri më tani”, tha ai. Duke folur për Batajnicën, Gara ka thënë se, përkundër zhvarrimit të më shumë se 700 viktimave gjatë viteve 2001-2002, analizat e kryera me partnerët ndërkombëtarë dhe pamjet satelitore tregojnë se në këtë zonë mund të ketë ende mbetje mortore të të paktën 58 viktimave të tjera. “Kur jemi tek lokacionet, një prej rasteve me prioritet të veçantë që është pjesë e agjendës në vazhdimësi të këtyre viteve të fundit mbetet lokacioni i varrit masiv në Batajnicë. Përkundër gërmimeve të realizuara gjatë viteve 2001-2002 dhe zhvarrimeve të më shumë se 700 viktimave të luftës në Kosovë, në bazë të të gjitha të dhënave të shqyrtuara hollësisht, pra të analizuara bashkë edhe me partnerë ndërkombëtarë që janë pjesë e këtij procesi, në veçanti me komitetin ndërkombëtar të kryqit të kuq, bazuar edhe në pamjet satelitore të cilat i kemi siguruar kemi konkluduar që në këtë zonë, ose në këtë lokacion apo në këtë hapësirë, pra në Batajnicë vazhdon të jetë edhe varri masiv me mbetjet mortore të them minimumi ose të paktën 58 viktimave. Po e përdor gjithmonë me kujdes këtë shprehje minimumi ose të paktën ose shprehjet si rezultati, për shkak të familjarëtve, megjithatë këto janë statistika të cilat ne i kemi prezantuar edhe gjatë takimeve”, tha ai. Ai ka bërë të ditur se pala serbe ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e Grupit Punues për Persona të Zhdukur të planifikuar në Prishtinë gjatë muajit mars, si dhe ka refuzuar mbajtjen e një takimi në nivel ekspertësh mjekoligjorë. “Kur jemi te këto dy mekanizma të tjerë, e kemi pas një takim në muajin shkurt në kuadër të grupit rajonal për persona të zhdukur, ndërsa për takim të grupit punues, pra me ndërmjetësim të komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kemi qenë të gatshëm që takimin ta mbajmë në muajin mars në Prishtinë, megjithatë ka qenë pala serbe ajo që ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim, ashtu siç ka qenë pala serbe ajo që ka refuzuar edhe mundësinë e mbajtjes së takimit në nivel të ekspertëve mjekoligjorë përmes të dy delegacioneve, për të diskutuar edhe planin e punës dhe dinamikën që duhet përcjellë ky proces në terren”, tha ai. Gara tha se Kosova do të vazhdojë të mbetet shembull në rajon në trajtimin e informacioneve për personat e zhdukur. Sipas tij, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë trajtuar 14 lokacione, prej të cilave 13 lidhen me procesin e gërmimit në kërkim të personave të zhdukur. Nga këto lokacione janë gjetur mbetje mortore që i përkasin të paktën 10 individëve, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet pas analizave të ADN-së.