Dinamo mollë sherri, Abazi s’po mund ta drejtojë Ferizajn (VIDEO) NULL NULL 24.04.2026 22:24 24.04.2026 22:24 Njoftimi i FC Ferizajt për emërimin e Arsim Abazit si kryetrajner të klubit U prezantua te klubi i Ferizajt, por nuk po mundet ende ta udhëheqë në rolin e kryetrajnerit. Kjo pasi Arsim Abazi qëndron me letra si trajner i Dinamo Ferizajt, megjithëse këta të fundit e shkarkuan publikisht. Në lidhje me këtë mosmarrëveshje ka folur për Klan Kosova, kryetari i klubit të Ferizajt, Lulzim Abazi. Ky i fundit theksoi se marrëveshjen me Arsim Abazin e kishin arritur dy ditë pas shkarkimit të Nevil Dedes nga ana e tyre. “Ka një postim në faqen e klubit që është Arsimi është i shkarkuar, por nuk ia ka dhënë fletën e shkarkimit, pavarësisht që ne kemi arritur marrëveshje kontraktuale me Arsimin. Ai ka menduar që nuk ka me pas problem”, tha Lulzim Abazi për Klan Kosova. Presidenti i klubit ferizajas tregoi edhe versionin që i ka treguar trajneri Arsim Abazi, për mosshkëputjen e kontratës nga ana e Dinamos. “Sipas fjalëve të Arsimit, gjoja ‘ne mund ta japim shkarkimin, por duhet të heqësh dorë nga pagat’. Kështu na e ka prezantuar tek ne Arsimi. Ne nuk e kemi regjistruar akoma në TMS Arsimin sepse na mungon një dokument i tillë nga Dinamo”, deklaroi kryetari i FC Ferizaj. Abazi nuk ishte i pranishëm në ndeshjen e fundit në gjysmëfinale ndaj Llapit, ashtu siç nuk do të jetë edhe ndaj Ballkanit në fundjavë. Ai konsideron se ajo çka po bën Dinamo është e papranueshme, pasi po ua dëmton sezonin, madje dha një afat për trajnerin Arsim Abazi deri kur mund të jetë. “Ne do të presim edhe ditën e hënë, unë nuk mund të mbetemi pa trajner, edhe pse Arsimi po i udhëheqë mirë seancat stërvitore. Në vend që të koncentrohemi te ekipi, ne po merremi me punën e trajnerit, që nuk do të duhej të ndodhte, ky është një klub i paorganizuar, se të bësh gjëra të tilla, dhe me dëmtu një trajner nuk është në rregull”, u shpreh Lulzim Abazi. Kryetari i Ferizajt tregoi që trajneri është ankuar edhe në Federatën e Futbollit e Kosovës dhe në Shoqatën e Trajnerëve për këtë veprim të Dinamo Ferizajt.