Dalin edhe futbollistë të tjerë të Superligës të paregjistruar në TMS? NULL NULL 03.03.2025 21:53 03.03.2025 21:53 Bëri bujë të madhe mënyra se si Ballkani i mori 3 pikë në tavolinë për ndeshjen ndaj Feronikelit’74, e cila në fushë kishte përfunduar 1-1. Por suharekasit përfituan nga kjo e drejtë rregulloreje, pasi futbollisti Lavdim Zumberi, rezultoi të mos ishte i regjistruar në sistemin ndërkombëtar TMS, si lojtar i ekipit nga Drenasi. Kjo shkaktoi reagime të shumta në opinion, për faktin se i njejti futbollist, veçse kishte zhvilluar 10 ndeshje në edicionin 2024/25 të Superligës së Kosovës, njofton Klankosova.tv. Por, Zumbi nuk doli i vetmi në eliten futbollistike të Kosovës, i cili nuk e ka të kompletuar transferin siç duhet në TMS. Edhe më i rëndë është rasti i Yll Hoxhës. Mbrojtësi i majtë i FC Suharekës, ka dhjetë vjet që endet nëpër ekipe të Kosovës e Shqipisë, por ai ende në TMS është i regjistruar si lojtar i Kukësit, skuadër kjo me të cilën nuk luan që nga 2015-ta. Kjo u konfirmua edhe nga drejtori i suharekasëve, Lulzim Kolgeci. Për këtë shkak, në ndeshjen e fundit kundër Gjilanit, Hoxha nuk u paraqit fare, anise ka gati dy sezone që luan për Suharekën, raporton Klankosova.tv. Pos kësaj, mbrëmë në emisionin “Favorit” në T7 është raportuar që Ilir Avdyli i Malishevës po ashtu nuk ka qenë në sistem i regjistruar si lojtar i këtij klubi, dhe ende figuron si lojtar i Feronikelit, e si i tillë luajti edhe në xhiron e fundit, që për koiçidencë pikërisht ndaj Ballkanit, i cili përfitoi javën e kaluar nga ky fenomen. Malisheva e mundi në fushë kampionin në fuqi me rezultat 3-1, por se a janë ankuar në Avdylin, nuk është bërë e ditur. Sipas Kanal 10, edhe vetë Ballkani ka një lojtar të regjistruar ende si futbollist i një skuadre tjetër. Bleart Tolaj nuk u aktivizua në ndeshjen e fundit, as nuk ishte në protokoll, pikërisht për shkak se nuk ka qenë i regjistruar në TMS. E gjithë kjo po ndodh në nivelin më të lartë të futbollit kosovar, teksa klubet e shtetit po garojnë edhe në arenën ndërkombëtare. Kujtojmë se Bleart Tolaj realizoi dy gola të Ballkanit në ndeshjen vendimtare kualifikuese për UEFA Conference League, ku dy golat e tij ndaj Bate Borisov, e ndihmuan kampionin e Kosovës të hyjë në fazën e grupeve. Çfarë do të ndodhte nëse bjellorusët do të ishin ankuar, kjo tash nuk dihet, por ajo që sot po ballafaqohet futbolli ynë shtetëror, lë shumë për të dëshiruar.