Beteja direkte për pozicion të ‘konvenueshëm’ para PlayOff-it, Ylli përballë Vëllaznimit NULL NULL 02.04.2025 18:29 02.04.2025 18:29 Në momentet kur Golden Eagle Ylli e nisi një seri fantastike kampionale, duke munudr Trepçën, Prishtinën, Pejën e Bashkimit, ishte Vëllaznimi ai që i mposhti suharekasit, në gjysmëfinalen e Ligës Unike. Kompeticionin mbarëkombëtar e fituan gjakovarët, pasi në finale triumfuan edhe ndaj Sigal Prishtinës, por sonte do ta kenë sërish një betejë me “Xhebrailat”, e vlefshme për ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll. Ky duel ka shumë peshë se si do të rreshtohen skuadrat në fund të kampionatit, para se të nis faza e PlayOff-it, njofton Klankosova.tv. Aktualisht kur kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro deri në fund, Ylli e Vëllaznimi kanë nga 39 pikë, pasi kanë regjistruar nga 13 fitore e po aq humbje. Cila do prej tyre që sonte del e pamposhtur nga palestra “13 Qershori” në Suharekë, do të jetë në luftë për pozitën e katërt, të cilën për momentin e ka Peja me 40 pikë. Këta të fundit nesër në shtëpinë e tyre në “Karagaç” janë nikoqirë të kampiones aktuale, Trepçës, e cila po lufton ‘kokë më kokë’ me Bashkimin për vendin e parë, apo edhe me Prishtinën për vendin e dytë, raporton Klankosova.tv. Tabela aktuale në elitën basketbollistike të Kosovës, dy xhiro para fundit Të dy këta kundërshtarë të mitrovicasëve, nesër ballafaqohen mes vete në “Pallatin e Rinisë” në kryeqytet. Kujtojmë që dy pozitat e para të renditjes tabelare, kualifikohen direkt në gjysmëfinale, kurse nga vendi i tretë deri te i gjashti, matin forcat në çerekfinale. Ajo skuadër e cila e përfundon sezonin e rregullt si e treta, përballet me atë që mbetet në pozitën e gjashtë, kurse vendi i katërt ndeshet me të pestin, njofton Klankosova.tv. Ekipi i renditur më lartë, e ka përparësinë e terenit vendas, kurse në gjysmëfinale kualifikohet kush i arrinë dy fitore (2-0 ose 2-1). Vendi i parë e pret fituesin e duelit ndërmjet pozitës 4 e 5, kurse vendi i dytë luan me atë që triumfon ndërmjet 3 dhe 6. Kampionati elitar i basketbollit të Kosovës, transmetohet ekskluzivisht në ArtMotion dhe Kujtesa.