Arrestohet në Prizren një i kërkuar me mbi 3 vjet burgim për vjedhje NULL NULL 22.08.2025 13:06 22.08.2025 13:06 Foto ilustruese e arrestimit. Policia e Kosovës ka arrestuar një 26-vjeçar nga Prizreni, i cili ishte në kërkim për vuajtjen e një dënimi me mbi tre vite burgim për vjedhje. Sipas njoftimit të policisë në Facebook, arrestimi i K.T. është bërë mbrëmë, më 21 gusht, rreth orës 22:35, pas një informacioni operativ se ai ndodhej në një lokal në qytet. Njësia e inteligjencës ka verifikuar praninë e tij, ndërsa njësia patrulluese ka arritur në vendngjarje rreth orës 22:46. Gjatë tentativës për t’u identifikuar, i kërkuari ka tentuar të largohet me vrap, por është ndaluar dhe arrestuar nga policia, transmeton Klankosova.tv. Bazuar në aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prizren, i arrestuari është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit prej 3 vitesh e 25 ditësh burgim. Policia ka bërë të ditur se aksioni është pjesë e Planit Operativ “Realizimi i urdhëresave të personave në kërkim – 2025”, i cili ka për qëllim lokalizimin dhe arrestimin e personave që i janë shmangur drejtësisë.