Shehrije Balaj vdiq pa e fituar statusin e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës (VIDEO) NULL NULL 24.06.2026 23:07 24.06.2026 23:07 Për të fituar statusin e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit kërkon, para së gjithash, rrëfimin e detajuar të ngjarjes nga vetë aplikuesja. Ky rrëfim shqyrtohet nga komisioni dhe, në rastet kur ekzistojnë, mund të mbështetet edhe me dokumentacion shëndetësor, dëshmi gjyqësore apo prova të tjera që ndihmojnë në vërtetimin e përjetimeve të viktimës. Megjithatë, dokumentet shtesë nuk janë kusht i domosdoshëm. Në shumë raste, vetë dëshmia e viktimës mbetet elementi kryesor mbi të cilin bazohet vlerësimi i komisionit. Për shkak të ndalesave ligjore, ashtu si për çdo rast tjetër, edhe për rastin e Shehrijes, Komisioni Qeveritar nuk ka dhënë asnjë sqarim. “Komisioni Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të Viktimës së Dhunës Seksuale gjatë Luftës ka ushtruar mandatin e tij në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, duke garantuar trajtim të barabartë, profesional dhe të paanshëm për të gjithë aplikuesit, pa dallim përkatësie etnike, fetare apo sociale. Puna e Komisionit zhvillohet mbi parimet e qasjes së përqendruar te viktima (“victim-centred approach”) dhe të parimit “do no harm”, me qëllim që secili aplikues të trajtohet me dinjitet, ndjeshmëri dhe respekt të plotë, pa shkaktuar pasoja apo trauma shtesë gjatë procesit të shqyrtimit”, ka deklaruar Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, përmes postës elektronike për emisionin MAT në Klan Kosova. Megjithatë, sipas avokatit Mustafë Radoniqi, i cili përfaqësoi Shehrije Balajn dhe grupin e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krimet e kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq të Pejës, dëshmia e saj do të kishte qenë më se e mjaftueshme për njohjen e statusit të të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës. Sipas tij, Shehrija jo vetëm që kishte rrëfyer në detaje përjetimet e saj, por këtë e kishte bërë edhe para një gjykate, nën betim, duke dhënë një dëshmi të drejtpërdrejtë për krimin e kryer ndaj saj. Për Radoniqin, një dëshmi e tillë përbënte një bazë të fortë që Komisioni Qeveritar të vërtetonte statusin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. “Pyetje: me deklaratën që e ka dhënë në gjykatë dhe me argumentet dhe provat që ka mundë me i nxjerrë ajo, a mendoni që zonja Shehrije e kish meritu statusin e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë? Unë mendoj se po, po mendoni për Shehrijen? Po gjithsesi, po gjithsesi, ajo e ka dhënë një deklaratë të tmerrshme, ju do ta shihni është një deklaratë shumë e tmerrshme. Unë i kam ato deklaratat krejt gati i kam, e patë edhe ju arhivin e këtij gjykimi, se ky gjykim ka zgjatë katër vjet. Ehde unë gati ne cdo gjykim kam qenë. Asnjë gjykim nuk ëhstë mbajtë pa prezencën time. Dhe për krejt këtë e falënderoj Fondin për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq. Unë jam kompenzu nga fondi për të drejtën humanitare në Beograd”, tregon avokati Radoniqi. Nëse Shehrije Balajt i është njohur apo jo statusi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Komisioni Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit, i udhëhequr nga kryetarja Leonora Selmani, nuk ka dhënë asnjë informacion publik. Kjo lidhet me rregullat e konfidencialitetit, sipas të cilave të dhënat për aplikuesit dhe vendimet e komisionit mbrohen me ligj dhe nuk mund të bëhen publike. Edhe në rastet kur familjarët e viktimave kërkojnë të informohen për statusin e tyre, siç është rasti i djalit të saj Haxhi Balaj, institucionet nuk kanë të drejtë të zbulojnë nëse një person është njohur apo refuzuar, duke e konsideruar këtë informacion të ndjeshëm dhe të mbrojtur. “Çdo aplikim shqyrtohet individualisht, në bazë të kritereve ligjore dhe provave apo dëshmive të paraqitura, duke respektuar standardet më të larta të konfidencialitetit dhe integritetit institucional. Komisioni garanton shqyrtim konfidencial të çdo rasti, ndërsa të dhënat personale të palëve ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për këtë arsye, çdo emër dhe mbiemër i përmendur në email konsiderohet cenim i konfidencialitetit. Si Komision, ne nuk ofrojmë të dhëna dhe as nuk japim përgjigje për raste individuale të identifikuara me emër dhe mbiemër. Për më tepër, palët dhe përfaqësuesit e tyre të autorizuar gjithmonë njoftohen dhe pranojnë me kohë vendimet dhe përgjigjet e Komisionit”, është përgjigjur Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, përmes postës elektronike. Por, sipas drejtoreshës së “Medika Gjakova”, Mirlinda Sada, një nga disa organizatat të cilat merren me identifikimin dhe trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, me vdekjen e viktimës përfundon çdo proces i nisur rreth saj. Sipas saj, në rastet kur një përfituese ndërron jetë, procedurat administrative nuk vazhdojnë më dhe çdo kërkesë apo shqyrtim që lidhet me statusin e saj konsiderohet i mbyllur. “Statusin, fatkeqësisht nuk mundet me e gëzu, ose pensionin nuk mundet me e gëzu si e mbijetuar dhunës seksuale pasi ka ndërru jetë dhe në momentin kur ndërron jetë, procesi mbyllet. Pasi nuk është një pension që trashëgohet, sikurse që kemi edhe pensionet e tjera të cilat trashëgohen te antarët e tjerë të familjes. Në këtë rast procesi mbyllet dhe ai nuk ka mundësi me trashëgu atë pension, mirë po si e mbijetuar e dhunës seksuale mundet me qenë në listat, kudo që ajo është lajmëu, ajo është në listë e evidentuar dhe konsiderohet si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, deklaroi Mirlinda Sada, Drejtore e Medika Gjakova. Këtë i kishin thënë edhe Haxhi Balajt, kur një herë ishte interesuar të mësonte më shumë për statusin e nënës së tij. Sipas tij, përgjigjja që kishte marrë nga institucionet ishte e qartë: pas vdekjes së aplikueses, procesi konsiderohet i mbyllur dhe nuk mund të vazhdojë më asnjë procedurë e lidhur me të. “Një herë jam kanë në Prishtinë, më s’jam kanë. Pyetje: Çka të kanë thënë? Më patën thënë ka ndërru jetë nëna, dikush thojke të takon, jam shku në qato far zyret e qeverisë, dikush thojke nuk të takon se ka ndërru jetë, tash nuk ka asi. Njëherë jam kanë, më s’jam kanë”, tregon Haxhiu.