Aktgjykimi i pritur: Dehari e shkeli kushtetutën, votohet hapur (VIDEO) NULL NULL 08.08.2025 20:08 08.08.2025 20:08 Rutina e mbledhive të çdo-dy-ditshme, vazhdoi edhe pas vendimit të Kushtetueses së 26 qershorit. Pasi harxhuan 16 tentime për ta votuar komisionin për realizimin e votimit të fshehtë, para mbylljes së afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit e thirrën edhe seancën e natës, të 17-ën. Por, të gjitha, del të jenë mbajtur kundër aktit më të lartë juridik të shtetit, Kushtetutës, për çka u shpallën të pavlefshme, derisa fajtor u la deputeti më i moshuar që këmbënguli në votimin e komisionit për votim tinëzar. Kësisoj gardiani i kushtetutës, që doli këtë të premte me vendim të ri i detyron 120 deputetët e zgjedhur më 9 shkurt, të jenë të pranishëm dhe të votojnë për prijësin e ri të Parlamentit, haptazi. Ndërkaq propozimi i të njëjtit deputet nga partia që del e para në zgjedhje, nuk mund të dëgjohet pa limit. Kushtetuesja nuk lëviz nga afati i zgjedhjes së kryekuvendarit, të cilin e vendosi më 26 qershor. Në njoftimin e 8 gushtit për njërin prej vendimeve më të rëndësishme që nxjerrë gjykata për trasimin e rrugës për formimin e institucioneve, Kushtetuesja sërish nuk sqaron se çfarë ndodh nëse edhe pas këtij 30 ditëshi nuk konstituohet legjislatura, tash e nënta. Ky aktgjykim është rezultat i kërkesave të dorëzuara nga deputetë të PDK-së dhe LDK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së votimit të fshehtë.