Dëmet nga vërshimet, AKK: Kompensim i drejtë dhe i shpejtë për qytetarët NULL NULL 21.07.2026 19:37 21.07.2026 19:37 Dëmet nga vërshimet: Asnjë familje nuk u kompensua nga qeveria (VIDEO) Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka reaguar pas vërshimeve të fundit që goditën disa komuna të vendit, duke kërkuar nga institucionet qendrore që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për kompensimin e dëmeve. AKK-ja thekson se qytetarët nuk kanë nevojë për vizita simbolike, por për mbështetje konkrete dhe ndihmë financiare sa më shpejt. Përmes një reagimi publik, Bordi i AKK-së ka shprehur shqetësimin për dëmet e shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet e fundit, duke rikujtuar se shumë qytetarë ende nuk janë kompensuar për dëmet e pësuara nga vërshimet e viteve të kaluara. “Është e papranueshme që, ndërsa komunat dhe qytetarët po përballen me dëme të reja, një pjesë e madhe e dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe të janarit 2026 ende nuk janë kompensuar. Qytetarët nuk kanë nevojë për vizita dhe fotografi, por për mbështetje konkrete dhe kompensim të drejtë e të shpejtë”, thuhet në reagimin e AKK-së transmeton Klankosova.tv. Sipas Asociacionit, komunat kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe kanë përmbushur të gjitha obligimet e tyre ligjore, ndërsa tani radha u takon institucioneve qendrore që të veprojnë pa vonesa. Bordi i AKK-së ka përsëritur tri kërkesa kryesore: kompensimin e menjëhershëm të dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe të janarit 2026, ndarjen e fondeve urgjente për komunat e prekura nga vërshimet e fundit, si dhe themelimin e një Fondi Emergjent për Komunat, i cili do të shërbente si mekanizëm i përhershëm për reagim të shpejtë në raste të fatkeqësive natyrore. Në fund të reagimit, AKK-ja thekson se ka ardhur koha për veprime konkrete, duke nënvizuar se “qytetarët nuk kompensohen me fotografi, por me vendime dhe mbështetje reale”.