Shabani: Auditori gjeti se si Qeveria Kurti pagoi zyrtarët serbë pa shkuar në punë (VIDEO) NULL NULL 21.07.2026 22:13 21.07.2026 22:13 Opinionistja Anita Shabani ka ngritur shqetësime lidhur me gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke thënë se nëntë ministri kanë marrë raport të kualifikuar për shkak të parregullsive në menaxhimin e financave publike. “E kemi parë raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe është shqetësuese që në nëntë ministri ka dalë raport i kualifikuar. Raporti i kualifikuar do të thotë që ka shumë gjetje të cilat nuk janë në përputhje me ligjin, parregullësi, shkelje, keqpërdorime, abuzime e tendera”, deklaroi ajo në “Rubikon” të Klan Kosova. Shabani u ndal te rasti i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke komentuar deklaratën e ministres në detyrë, Fitore Pacolli, lidhur me ndërprerjen e kontratave të 20 zyrtarëve të komunitetit serb, të cilët sipas raportit ishin paguar prej vitit 2016 pa u paraqitur në vendin e punës, transmeton Klankosova.tv. Sipas saj, përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet vetëm qeverive të kaluara. “E kemi rastin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila doli pas gjetjes së Auditorit, dhe tha se ua kemi shkëputur kontratat 20 zyrtarëve të këtij institucioni të komunitetit serbë, të cilët paguhen nga viti 2016, dhe nuk paraqiten në punë. Zonja Pacolli nuk është në dijeni që prej vitit 2016 janë 10 vjet, prej të cilave 6 vjet ka qeverisur Vetëvendosja. Pra këta i kanë pagu në një periudhë më të gjatë sesa qeverisja e kaluar ata punëtorë”, tha ajo në Klan Kosova.