Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ftesa e Kurtit, PDK dhe LDK përgjigjen pozitivisht – Aleanca nuk e pranon takimin

NULL NULL
09.07.2026 18:28

Certifikimi i rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka vënë në lëvizje partitë politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë së enjtes u ka dërguar ftesa zyrtare për takime tre liderëve të partive të ish-opozitës, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ardian Gjini.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ka konfirmuar për mediat se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryetarit të Lëvizjes
Vetëvendosje për formimin e Qeverisë.

“Po flasim për krijimin e institucioneve të vendit. Kosova po përballet me vakum institucional dhe kjo mungesë e stabilitetit po e dëmton vendin. Prandaj, duke e ditur seriozitetin e situatës, mendoj se secili prej nesh duhet të sillet në atë mënyrë. Ftesa duhet të dërgohet ashtu siç e kërkon rendi, nga kryetari që ka më së shumti ulëse në Kuvend. Ftesa për takim është për sot në orën 17:00. Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme. Nuk jam kundër takimeve. Para se të flasim për pozita, janë më të rëndësishme prioritetet dhe adresimi i sfidave që i ka Kosova. Nëse nuk dakordohemi për këto, unë ia ktheva shkresën që PDK-ja të takohet në orën 09:00 nesër”, tha Hamza.

Hamza i përgjigjet ftesës së Kurtit: Nesër në orën 09:00

Pozitivisht ftesës së Kurtit iu përgjigj edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Unë sot kam marrë një letër ftesë për takim me kryetarin e LVV-së, z. Kurti, në formatin 1+1. Pra, këtë here do të takohemi 2 me 2 dhe do ti përgjigjem pozitivisht kësaj ftese”, ka thënë Abdixhiku pas mbledhjes së kryesisë së partisë, njofton Klankosova.tv.

Abdixhiku: Do t’i përgjigjem pozitivisht ftesës së Kurtit

Por, përgjigje të njëjtë, Kurti nuk mori edhe nga i pari i Aleancës, Ardian Gjini i cili përmes një letre publike në Facebook tha ta ketë njoftuar Kurtin se nuk e sheh të nevojshëm takimin.

Aleanca e refuzon ftesën e Kurtit, Gjini: Nuk e shohim të nevojshëm takimin

“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme, pa kushte ose kërkesa vetjake, të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojmë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, ka deklaruar Gjini në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Gjashtë kërkesat e Aleancës për institucionet e reja janë:

1. Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.

2. Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.

3. Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

4. Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.

5. Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.

6. Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale.

Kujtojmë se LVV ka fituar 53 mandate nga zgjedhjet e 7 qershorit, PDK mori 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca mori 7 mandate në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës. /KlanKosova.tv

lajme të ngjashme