KQZ: Gati t’i shpallim rezultatet përfundimtare pasi të përfundojnë ankesat NULL NULL 25.06.2026 10:45 25.06.2026 10:45 Procesi zgjedhor në Kosovë po vazhdon të jetë në fazën e shqyrtimit të ankesave, ndërsa shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha vendimmarrjet nga institucionet përkatëse. Kështu tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, për Klankosova.tv. Ai ka theksuar se para çdo hapi drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të vlerësohet nëse vendimet e marra për ankesat përmbajnë detyrime konkrete për KQZ-në. “KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse. Mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, deklaroi Elezi. Sipas tij, në rast se vendimet nuk përmbajnë detyrime që duhet të zbatohen nga KQZ-ja, atëherë institucioni është i gatshëm që menjëherë pas fuqizimit të tyre të publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Elezi sqaroi gjithashtu se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e mbyll plotësisht procesin zgjedhor, pasi palët e përfshira ende kanë të drejtë ankese edhe pas këtij hapi. “Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyllë procesin zgjedhor, pasi palët kanë të drejtë ankese ndaj këtyre rezultateve. KQZ, ngjashëm si tani, duhet të presë afatin e ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime dhe pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së. KQZ thekson se vetëm pas përfundimit të të gjitha afateve ligjore dhe vendimeve përfundimtare, procesi i zgjedhjeve mund të konsiderohet i mbyllur në aspektin administrativ. /Klankosova.tv