Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Krijimi i institucioneve, Sadiku: Dikush duhet të lëshojë pe (VIDEO)

NULL NULL
25.06.2026 13:46
Redaktori i portalit Klankosova.tv, Naim Sadiku.

Redaktori i portalit Klankosova.tv, Naim Sadiku, ka komentuar zhvillimet aktuale politike në vend, duke thënë se qëndrimet e ngurta të partive politike kanë ndikuar në rritjen e zhgënjimit te qytetarët.

Duke folur në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Sadiku tha se bëhet fjalë për një situatë ku partitë shqiptare duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët për të çuar përpara proceset shtetërore.

 “Këto qëndrime të betonuara të partive politike, definitivisht e kanë rritur zhgënjimin te qytetarët, e kanë rritur zhgënjimin në popull, sepse tek e fundit bëhet fjalë për bashkëpunim mes partive shqiptare, ku secila ka kontribut edhe në lirinë e vendit, edhe në shtetndërtim edhe në demokracinë edhe në këto vlera që i ka përqafu shoqëria e Kosovës dhe që mëton t’i avancojë përpara drejt integrimit në BE dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare”, tha ai.

Sadiku tha se në skenën politike ka humbur edhe ndjeshmëria ndaj zhvillimeve që dikur do të konsideroheshin skandale, ndërsa theksoi se vota për subjektet politike duhet të analizohet në një kontekst më të gjerë.

“Jo vetëm deklaratat, por i ka humbur efekti edhe skandalit, asgjë më nuk përbën skandal, asgjë më nuk përbën interes, do me thënë besimi qytetarëve edhe votat që i merr Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pse ka besim të madh qytetarë, por e votojnë për arsye të ndryshme që mund të diskutohen”, tha ai.

Sipas gazetarit Naim Sadiku, partitë politike duhet të bëjnë kompromise për t’i ofruar vendit qeverisje dhe institucione funksionale.

“Prandaj, dikush duhej të lëshojë pe, vendit duhet t’i ofrohet qeverisje, duhet t’i ofrohen institucione dhe po bëhet fjalë për bashkëpunim të partive shqiptare. Armiqësi të pa qena, kundërshti të pa qena, sepse ne jetojmë këto dhe i dimë të gjitha veprimet e secilit subjekt politik, i dimë të metat, i dimë gabimet, e dimë edhe historinë, e dimë edhe secilin kontribut, secili veç e veç sa e ka për këtë shtet dhe për këtë shoqëri”, u shpreh Sadiku.

Redaktori i portalit Klankosova.tv vlerësoi se edhe rezultati zgjedhor është një mesazh i qytetarëve për partitë politike që të dialogojnë dhe të krijojnë institucione.

“Edhe vota e qytetarëve është thirrje realisht për partitë politike që “uluni, diskutoni dhe krijoni institucione”, sepse kjo shpërndarje e votës është pikërisht ftesë për partitë politike që askush nuk e ka shumicën, askush nuk duhet të qeverisë me autokraci, ose të ketë tendenca të tilla, por bashkëpunim dhe të çohen përpara proceset në të cilat ka ngelur Kosova tash e dy vite me theks të veçantë”, përfundoi Sadiku.

lajme të ngjashme