Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Incident brenda Gjykatës së Posaçme, tre vëllezër rrahin dëshmitarin 

NULL NULL
15.06.2026 20:48

Katër persona të akuzuar nga SPAK për rrëmbimin dhe vrasjen e një 23-vjeçari u përleshën fizikisht të hënën në një nga sallat e gjyqit në Gjykatën e Posaçme.

Ngjarja e pandodhur ndonjëherë në Gjykatën e Posaçme, u shënua aty ku po zhvillohej një seancë periodike, ku SPAK informon gjykatën mbi ecurinë e hetimit.

Pak pas orës 11:00 i pandehuri Petrit Hoxha, i njohur edhe si Petrit Çakraj, dëshmitar i vrasjes së deputetit Azem Hajdari në vitin 1998, u sulmua ashpër nga vëllezërit Fatjon, Aleksandër dhe Kristi Bushgjokaj.

Të katër të pandehurit ndodheshin në të njëjtën hapësirë, ku shoqëroheshin nga tre policë.

Burime brenda seancës me dyer të mbyllura, thanë se vëllezërit Bushgjokaj kanë reaguar ndaj të bashkëpandehurit, sapo ai i ka kërkuar të flasë. “E nderuar gjykatë, dua të sqaroj diçka”, ka thënë Çakraj.

Sakaq, Fatjon Bushgjokaj është hedhur drejt tij duke e grushtuar e i përplasur kokën në mur. Sulmit fizik i janë bashkuar edhe dy vëllezërit e tij.

Në përpjekje për të ndalur sulmin, grushte kanë rënë edhe drejt punonjësve të policisë së burgjeve.

Seanca është ndërprerë në çast, ndërsa situata ka alarmuar gjykatën, duke ndërprerë të gjitha seancat paralele. Të tjerë policë kanë shkuar në ndihmë të kolegëve dhe kanë neutralizuar situatën, ndërsa në ambientet e gjykatës mbërritën edhe efektivë të Policisë së Shtetit.

Sipas burimeve, vëllezërit Bushgjokaj kanë pasur edhe më herët një marrëdhënie të acaruar me Petrit Çakraj, pasi pretendonin se i ka spiunuar dhe se kishte shpifur ndaj tyre në deklarimet në prokurori, duke i përfshirë në vrasjen e 23-vjeçarit Dobra, në korrik të vitit të shkuar në Mat.

Nga veprimet e dhunshme në gjyq, ka marrë dëmtime në fytyrë dhe trup Petrit Çakraj, si edhe tre efektivët e policisë së burgjeve. Pas ngjarjes, një grup hetimor bëri veprimet e nevojshme paraprake, përfshi administrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë./A2Cnn

lajme të ngjashme