Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

A është Kosova gati për reduktimin e KFOR-it? Flasin ish-ushtarakët e FSK-së

NULL NULL
nga Lendita Elshani 16.06.2026 10:07

Vendimi i NATO-s për të optimizuar praninë e misionit paqeruajtës në Kosovë (KFOR), pas vlerësimit se situata e sigurisë në vend mbetet përgjithësisht e qëndrueshme, po shihet ndryshe nga njohës të fushës së sigurisë.

Ish-gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, tha për Klankosova.tv, se zvogëlimi gradual i pranisë së KFOR-it është një sinjal pozitiv për gjendjen e sigurisë në vend dhe dëshmi e rritjes së kapaciteteve të institucioneve vendore.

Siç thotë ai, më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, institucionet e Kosovës, veçanërisht FSK-ja, kanë treguar se janë të afta të marrin përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

“Zvogëlimi i pranisë së KFOR-it në Kosovë është një tregues i përmirësimit të situatës së sigurisë dhe i rritjes së kapaciteteve vendore. Pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, institucionet e Kosovës ( Forca e Sigurisë së Kosovës) kanë dëshmuar se janë në gjendje të marrin përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha në ruajtjen e rendit dhe sigurisë”, tha Kastrati.

Ai vlerësoi se FSK-ja duhet të vazhdojë të fuqizohet profesionalisht, teknikisht dhe operacionalisht, duke potencuar se ka fituar besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë përmes përkushtimit dhe standardeve të larta të punës.

“Në këtë kontekst, Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të fuqizohet më tej, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë teknik e operacional. FSK-ja ka treguar përkushtim, disiplinë dhe standarde të larta në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke fituar besimin e qytetarëve dhe aleatëve”, tha ai.

Kastrati shtoi se me zvogëlimin gradual të pranisë së KFOR-it, një pjesë e përgjegjësive mund t’u kalohen institucioneve të Kosovës, në përputhje me ligjet dhe standardet e NATO-s.

“Me zvogëlimin gradual të pranisë së KFOR-it, disa nga detyrat dhe përgjegjësitë mund t’i kalohen institucioneve të Kosovës, veçanërisht FSK-së, në përputhje me ligjet dhe standardet e NATO-s. Kjo do të kontribuonte në forcimin e sovranitetit shtetëror, ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe përgatitjen e Kosovës për sfidat e ardhshme të sigurisë. Qeveria e Kosovës do të duhej të rrit buxhetin e FSK-së dhë të përshpejtoj ngritjen e kapaciteteve operacionale”.

Njëherësh, Kastrati deklaroi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s mbetet thelbësor për Kosovën.

“Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s mbetet jetik për Kosovën. Fuqizimi i FSK-së nuk duhet parë si zëvendësim i aleancës me partnerët ndërkombëtarë, por si dëshmi e pjekurisë së shtetit dhe gatishmërisë për të marrë më shumë përgjegjësi në mbrojtjen e vendit. Kosova ka nevojë për një FSK moderne, profesionale dhe të pajisur sipas standardeve më të avancuara, në mënyrë që të jetë garantuese e sigurisë, stabilitetit dhe paqes afatgjatë në vend dhe në rajon”, u shpreh tutje ish-gjenerali për Klankosova.tv.

Megjithatë, ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, ndonëse e vlerëson pozitivisht gjendjen aktuale të sigurisë, shpreh shqetësim për zhvillimet në Serbi dhe ndikimin që ato mund të kenë në rajon, e gjegjësisht edhe në vendin tonë.

Ai tha se vlerësimet e NATO-s për situatën e sigurisë duhen marrë seriozisht, por paralajmëroi se politikat e Serbisë dhe investimet e saj në armatim mbeten faktorë që nuk duhet të neglizhohen.

“Nëse NATO jep vlerësim, atëherë besoj se është real, pra situata e sigurisë është e mirë. Por në parim, duke njohur mirë politikat e Serbisë dhe mendësinë serbe për rikthimin në Kosovë, si dhe armatosjen e saj të madhe në vitet e fundit, druaj se siguria jonë do të dobësohet”, tha Veseli për Klankosova.tv.

Ndërkohë, NATO ka bërë të ditur se, për shkak të përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë gjatë viteve të fundit, në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë të KFOR-it pas më shumë se dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm.

Sipas Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), gjeneralit të Forcave Ajrore të ShBA-së, Alexus G. Grynkewich, NATO do të përshtatë gradualisht numrin e trupave të saj në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, duke ruajtur njëkohësisht aftësinë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në vend.

“NATO dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuar për sigurinë dhe mbrojtjen në Kosovë”, tha gjenerali Grynkewich. “Ky përkushtim ka çuar në rritjen e stabilitetit, pasi organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar më tej madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, deklaroi Grynkewich./Klankosova.tv

lajme të ngjashme