NYT: ShBA planifikon të tërheqë një të tretën e avionëve luftarakë nga Evropa NULL NULL 12.06.2026 14:36 12.06.2026 14:36 Një avion amerikan F-16 në bazën ajrore Andravida, Greqi, vitin e kaluar. Foto: Reuters Shtetet e Bashkuara planifikojnë të reduktojnë ndjeshëm avionët dhe anijet luftarake që i vënë në dispozicion operacioneve të NATO-s në Evropë, sipas dy zyrtarëve të lartë evropianë. Ky hap përshpejton përpjekjet e Uashingtonit për të zvogëluar mbrojtjen që u ka ofruar aleatëve evropianë për gati tetë dekada. Vendimi pritet të kufizojë aftësinë e NATO-s për të kryer sulme me rreze të gjatë veprimi dhe operacione mbikëqyrjeje. Ai u është komunikuar aleatëve në fillim të qershorit përmes një dokumenti zyrtar, pjesë të të cilit janë parë nga “The New York Times”. Zyrtarët evropianë folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së planeve ushtarake, transmeton Klankosova.tv. Sipas planit, ShBA synon: Të ulë numrin e avionëve luftarakë F-16 dhe F-15E nga rreth 150 në 100; Të reduktojë avionët e zbulimit detar nga 26 në 15 dhe të tërheqë të tetë avionët cisternë për furnizim me karburant në ajër që ishin në dispozicion të Evropës; Të ridislokojë një nëndetëse të pajisur me raketa dhe një aeroplanmbajtëse, së bashku me disa anije luftarake dhe dhjetëra avionë që marrin pjesë në misionet e saj; Të ridislokojë një nga dy grupet e bombarduesve të caktuara më parë për mbrojtjen e Evropës. Pentagoni refuzoi të komentojë shifrat konkrete të dokumentit, duke iu referuar një deklarate të Komandës Evropiane të ShBA-së, e cila javën e kaluar njoftoi në terma të përgjithshëm synimin për të reduktuar angazhimet në Evropë. Detajet, disa prej të cilave u raportuan fillimisht nga media gjermane “Die Welt”, japin pamjen më të qartë deri më tani për shkallën e reduktimit të angazhimit të administratës së presidentit Donald Trump ndaj NATO-s. Aleanca ushtarake, e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, konsiderohet ende nga vendet evropiane si thelbësore për frenimin e Rusisë. Pentagoni nuk ka bërë publike ende afatet e zbatimit të planit, por zyrtarë amerikanë kanë lënë të kuptohet se ndryshimet do të hyjnë në fuqi shumë shpejt, më herët sesa kishin parashikuar aleatët evropianë. Një reduktim i tillë do të ndikonte në aftësinë e NATO-s për të monitoruar lëvizjet e nëndetëseve ruse ose për të lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi, si Tomahawk, thellë në territorin rus. Ekspertët vlerësojnë se, edhe pse vendet evropiane kanë kapacitete të ngjashme raketore, efekti parandalues është më i madh kur këto sisteme kontrollohen nga ShBA-ja. Presidenti Trump ka kritikuar prej vitesh barrën që, sipas tij, ShBA mban brenda NATO-s. Ai ka kërkuar vazhdimisht që Evropa të investojë më shumë në mbrojtjen e saj dhe madje ka kërcënuar me largim nga aleanca. Evropa vazhdon të përballet me vështirësi në koordinimin e përpjekjeve të saj ushtarake. Gjermania konfirmoi së fundmi tërheqjen nga një projekt i përbashkët me Francën dhe Spanjën për ndërtimin e një avioni të ri luftarak. Për disa politikanë evropianë, çështja kryesore nuk është më numri i mjeteve ushtarake amerikane në Evropë, por nëse administrata Trump do të ishte e gatshme t’i përdorte ato në rast konflikti. Plani i reduktimit vjen në një moment të tensionuar për Evropën. Detajet e planit u komunikuan në mënyrë private ndërsa zyrtarët më të lartë amerikanë të mbrojtjes po flisnin publikisht për nevojën e ridislokimit të forcave drejt rajonit Indo-Paqësor. Gjenerali Alexus G. Grynkewich, komandanti i Komandës Evropiane të ShBA-së dhe komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s, deklaroi në fillim të qershorit se “ka pasur një bashkëvarësi jo të shëndetshme të modelit të forcave të NATO-s nga forcat amerikane”. Ai shtoi se presidenti Trump, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe zyrtarë të tjerë kanë qenë të qartë se kjo situatë duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë, pasi mundësia e konflikteve të njëkohshme në disa rajone të botës e kërkon këtë. /Klankosova.tv