Ballkani i kërkon 3 pikë: “Feronikeli’74 futi në fushë një futbollist pa të drejtë loje” NULL NULL 26.02.2025 13:31 26.02.2025 13:31 Kampioni aktual i Kosovës në futboll, po i kërkon 3 pikë në tavolinë, për ndeshjen ndaj Feronikelit’74, e cila në Suharekë u mbyll 1-1. Arsyeja sipas zyrtarëve të Ballkanit, qëndron te fakti se skuadra nga Drenasi, ka inkuadruar një futbollist që nuk kishte të drejtë loje, raporton Klankosova.tv. Për këtë shkelje, siç e konsiderojnë suharekasit, ata dërguan ankesë në Komisionin e Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës. Por kush është lojtari për të cilin është ankuar Ballkani dhe ku e bazohen “Xhebrailat” për këtë çështje? Lavdim Zumberi nuk është i regjistruar në sistemin ndërkombëtar TMS, si futbollist i Feronikelit’74. Siç vërehet nga ky sistem, ku Klankosova.tv. e ka sigurar pasqyrimin, ai figuron ende si një lojtar i skuadrës zvicërane, FC Baden 1897, duke e pasur statusin aktiv si futbollist i këtij ekipi. Megjithatë për këtë situatë, klubi i Feronikelit’74 e lë fajin tek Federata e Futbollit të Kosovës. Në një prononcim për Klankosova.tv, zyrtari i lartë i klubit, Ekrem Elshani ka deklaruar se është FFK-ja ajo e cila e ka koklavitur këtë çështje, duke mos e kompletuar dosjen. “Zumberi është lojtar i yni i regjistruar në FIFA Connection. Në këtë rast, përgjegjësia bie mbi Federatën e Futbollit që nuk ka arritur ta regjistrojë futbollistin. Ai ka luajtur disa ndeshje për ekipin tonë”, i tha Klanit, ky zyrtar i Feronikelit’74. Megjithatë, FFK nuk e ka regjistruar ende zyrtarisht rezultatin e ndeshjes Ballkani – Feronikeli’74, që të premten e kaluar u mbyll me rezultat 1-1, andaj për këtë, Elshani thotë se klubi që ky e udhëheq është i pastër me atë që u shfaq në fushë. “Pavarësisht se çfarë vendimi merret, Feronikeli është i pafajshëm dhe absolutisht i pastër”, deklaroi përfaqësuesi i “Niklit”. Sipas tij, këtë lëshim të Federatës, tani po e shfrytëzon Ballkani për t’i marrë pikët e plota, njofton Klankosova.tv. Nga ana tjetër, Klankosova.tv. merr vesh se nga FFK janë ende në fazën e konsultimeve zyrtare, se si do të veprohet në këtë çështje, madje kanë kërkuar mendin edhe nga instanca ndërkombëtare të futbollit. Aktualisht, Drita e udhëheq renditjen tabelare në Superligë me 47 pikë, dhjetë më shumë se Ballkani. Nëse ndeshja e këtyre të fundit ndaj Feronikelit’74 do të regjistrohet me rezultat zyrtar, siç po pretendojnë suharekasit se i takon, atëherë dallimi me “Intelektualët” do të ulej në -8 pikë