KOK: Drin Kokaj kualifikohet për garën kryesore të sllallomit në “Saalbach 2025” NULL NULL 15.02.2025 17:24 15.02.2025 17:24 Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë të ditur se është duke vazhduar Kampionati Botëror në Skitarinë Alpine “Saalbach 2025”, në Austri, ku sot janë zhvilluar garat në disiplinën e sllallomit. Në njoftimin e lëshuar thuhet se për ekipin e vajzave të Kosovës, gara e sotme kryesore e sllallomit ishte e fundit. “Për shkak edhe të kushteve të vështira, shumica e garueseve nuk arritën të mbyllin garën, mes tyre edhe skitaret tona: Lirika Deva, Kiana Kryeziu e Arba Pupovci”. “Ndërkohë, tek meshkujt, u zhvillua gara kualifikuese. Klos Vokshi pati paraqitjen të mirë, duke përfunduar në vendin e 56-të”. “Arbi Pupovci u rendit i 73-ti, ndërsa Drin Kokaj ishte i pafat, duke dalë nga shtegu në lëshimin e parë. Në total morën pjesë 138 garues, shumica e të cilëve nuk arritën të përfundojnë njërin nga dy lëshimet”, thuhet në njoftim. Pavarësisht që Kokaj nuk përfundoi garën, falë pikëve më të mira në FIS për këtë disiplinë, ai u kualifikua për garën kryesore të sllallomit, që zhvillohet nesër.