Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

SHBA i përgjigjet Kurtit për lidhjen me gazsjellësin në Vlorë: Kosova të ndërtojë central me gaz, çdo vonesë është humbje

NULL NULL
16.06.2026 16:35

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ftuar sërish Kosovën që të përfshihet në projektet rajonale të gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke e konsideruar sigurinë energjetike si element thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Në një intervistë për KosovaPress, zyrtari për çështje ekonomike në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Micah Savidge, theksoi se furnizimi i qëndrueshëm me energji është vendimtar për rritjen ekonomike të vendit.

“Kosova rrezikon të humbasë investimet amerikane në mungesë të furnizimit të besueshëm me energji elektrike”, tha Savidge.

Ai shtoi se vendet e rajonit po synojnë diversifikimin e burimeve energjetike dhe reduktimin e varësisë nga gazi rus.

“Qëllimi ishte diversifikimi i burimeve dhe rrugëve të furnizimit me gaz, në kuadër të largimit gradual të Bashkimit Evropian nga varësia ndaj gazit natyror rus”, u shpreh ai.

Sipas tij, Kosova duhet të bëhet pjesë e projekteve rajonale të SHBA-së për energjinë.

“Kosova, si vendi më pro-amerikan në Evropë, po ftohet për t’iu bashkuar projektit rajonal të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Savidge.

Ai theksoi se LNG nuk synon të zëvendësojë burimet ekzistuese, por t’i plotësojë ato në një sistem më të larmishëm energjetik.

“Ne po promovojmë qasjen në gaz natyror të lëngshëm (LNG) jo sepse do të zëvendësojë burimet ekzistuese, por do t’i shtojë Kosovës edhe një mjet tjetër në portofolin e saj energjetik”, tha ai.

Duke folur për linjitin, Savidge tha se siguria energjetike nuk mund të mbështetet në një burim të vetëm.

“Pyetja nuk është thjesht ‘thëngjilli apo gazi’, por si Kosova ndërton kapacitete të mjaftueshme dhe të besueshme energjetike për të ardhmen”, u shpreh ai.

Ai shtoi se një sistem i diversifikuar energjetik e bën vendin më të qëndrueshëm ndaj krizave të tregut.

“Asnjë teknologji apo burim i vetëm i energjisë nuk përbën zgjidhjen e vetme”, tha Savidge.

Savidge tha se SHBA mbështet rritjen e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, duke përmendur edhe projektet konkrete.

“Ne e mbështesim plotësisht rritjen e kapaciteteve prodhuese nga burimet e ripërtëritshme”, tha ai, duke veçuar projektin e baterive prej 202 milionë dollarësh për stabilizimin e rrjetit energjetik.

Ai gjithashtu përmendi se Kosova shpenzon qindra miliona euro për import të energjisë.

“Gjatë katër viteve të fundit Kosova ka shpenzuar afërsisht 735 milionë euro për importin e energjisë elektrike”, theksoi ai.

Savidge foli edhe për propozimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që Kosova të lidhet me terminalin e gazit në Vlorë.

“Po, sa e di unë ky projekt ende nuk është finalizuar plotësisht, prandaj është e vështirë të flitet me më shumë hollësi për të. Megjithatë, ne e mirëpresim gatishmërinë e Kosovës për të investuar në infrastrukturën e gazit natyror në rajon dhe e shohim si shenjë pozitive faktin që Kosova mund të vendosë të ndërtojë infrastrukturë të gazit natyror brenda vendit dikur në të ardhmen. Por, dëshiroj të theksoj se vendimet energjetike që Kosova i merr sot do të jehojnë në të ardhmen e saj, prandaj sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me energji është thelbësor për rrugën e zhvillimit të Kosovës dhe për shpejtësinë me të cilën ajo mund të arrijë standardet e jetesës së Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, ne e nxisim fuqishëm Kosovën që të shqyrtojë investime të mëtejshme në gazin natyror, përfshirë mundësinë e ndërtimit të një centrali me gaz natyror në Kosovë, i cili po të ndërtohej me kapacitet të mjaftueshëm, do të mund të mbulonte nevojat e brendshme energjetike të Kosovës dhe madje do të krijonte mundësinë për eksportimin e energjisë elektrike te vendet fqinje.”, tha ai.

lajme të ngjashme