Gjergj Elez Alia rikthehet si hero i një romani grafik modern, autori Blerim Gjoci prezanton veprën e re NULL NULL 16.06.2026 17:43 16.06.2026 17:43 Një nga figurat më të njohura të epikës shqiptare po merr jetë në një format krejtësisht të ri. Autori Blerim Gjoci sjell për lexuesit romanin grafik “Gjergji dhe Plagët e Lavdisë”, një vepër e realizuar në stilin bashkëkohor të comic book-ut, që synon ta prezantojë heroin legjendar Gjergj Elez Alia para brezave të rinj përmes një universi vizual dhe narrativ modern. Pas disa vitesh kërkime mbi mitologjinë, folklorin dhe historinë ilire, Gjoci ka ndërtuar një botë të re artistike rreth figurës së Gjergjit, duke rrëfyer jo vetëm betejën e tij të njohur me Bajlozin e Zi, por edhe fëmijërinë, dashurinë, sfidat dhe rrugëtimin drejt lavdisë. Sipas autorit, ideja për këtë projekt ka lindur që në fëmijëri, kur dëgjonte rrëfimet për heronjtë e legjendave shqiptare dhe ëndërronte që edhe shqiptarët të kishin një super-hero të paraqitur në formën e novelave grafike, të ngjashme me personazhet e Marvel dhe DC Comics. Në parathënien e librit, Gjoci kujton se magjepsja e tij për botën e comic book-ut nisi në vitet e hershme të rinisë, ndërsa dëshira për të krijuar një hero shqiptar në këtë format e shoqëroi për dekada. Kjo ide mori formë gjatë studimeve të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur një projekt akademik për ndërtimin e botëve imagjinare e riktheu te figura e Gjergj Elez Alisë. Autori thekson se folklori shqiptar ofron pak detaje për jetën e heroit përpara betejës së tij të fundit. Pikërisht kjo hapësirë krijuese e shtyu të ndërtojë një rrëfim të ri, të mbështetur në elemente historike, mitologjike dhe imagjinare, duke e vendosur historinë në botën e fiseve ilire dhe në një realitet ku njerëzit bashkëjetojnë me zanat dhe forcat e natyrës. “Gjergji dhe Plagët e Lavdisë” është libri i parë i një serie prej dhjetë romanesh grafike, secili i kushtuar një prej dhjetë plagëve të heroit legjendar. Sipas autorit, seria do të ndjekë jetën e Gjergjit nga fëmijëria deri te beteja e fundit, e cila, siç paralajmëron ai, nuk do të përfundojë ashtu siç njihet në këngët popullore. Romani grafik do të jetë në dispozicion të lexuesve duke filluar nga dita e mërkurë, nga ora 12:00, në Panairin e Librit. Ndërkaq, promovimi zyrtar i veprës do të mbahet të enjten në ora 18:30, ku Blerim Gjoci do të flasë më gjerësisht për procesin krijues, frymëzimet dhe planet për vazhdimet e ardhshme të serisë. Me këtë projekt ambicioz, autori synon të sjellë një interpretim të ri të një prej figurave më të dashura të trashëgimisë shqiptare, duke e afruar atë me lexuesin modern përmes fuqisë së tregimit vizual.