ShBA-ja e zhgënjyer me qeverinë për vendimin për targa NULL NULL 28.10.2022 19:44 28.10.2022 19:44 Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në lidhje me çështjen e targave duke thënë se janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat ndërkombëtare. “Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë Qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”. “Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve të saj ndërkombëtarë për ta bërë këtë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksible për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër. Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të demonstruar angazhimin e tyre për bashkëpunim konstruktiv për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe me prosperitet për rajonin”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, njofton Klankosova.tv. Ky reagim është publikuar rreth një orë pas vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës për shkallëzimin e sanksioneve për të gjithë ata që nuk e përfillin zbatimin e vendimit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS. Megjithatë ky vendim nuk përmendet fare në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kujtojmë se vendimi i ri i qeverisë në lidhje me targat parashihet që të hyjë në fuqi nga 1 nëntori, ku nga kjo datë deri më 21 nëntor të gjithë pronarët e veturave që kanë targa ilegale serbe vetëm do të qortohen. Nga 21 nëntori deri më 21 janar të njëjtit do të gjobiten, ndërsa nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese. Në ndërkohë, ShBA-ja dhe BE-ja ditëve të fundit i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për 10 muaj afatin për konvertimin e targave duke thënë se kjo është në funksion të shmangies së tensioneve.