Ambientalistët mitrovicas me aksion për pastrimin e Liqenit Akumulues NULL NULL 12.06.2020 19:41 12.06.2020 19:41 Disa të rinj mitrovicas kanë nisur një aksion vullnetar ku kanë qëllim pastrimin e shtratit të Liqenit Akumulues në Mitrovicë. Aksioni për pastrimin e ambientit në këtë hapësirë mbahet të shtunën dhe pikënisja është tek Ura e Liqenit. Lidhur me këtë për klankosova.tv ka dhënë detaje ambientalisti Kushtrim Hoti, i cili beson që do të këtë një shifër më të lartë të pjesëmarrësve. ”Qytetarët e Mitrovicës e kanë përkrahur këtë iniciativë”. ”Edhe pse në aktivitetin e parë ishim vetëm 12 ambientalistë, në këtë aktivitet pritet të na bashkohen një numër më i madh i vullnetarëve”. Hoti bënë të ditur që për aktivitete të tilla nuk mbetet vetëm Liqeni Akumulues, lokacion i vetëm për mirëmbajtje. ”Pas aktivitetit në pjesën e Liqenit ne do të zgjerohemi edhe në pjesët tjera të qytetit duke mos u ndalur për të vazhduar edhe në fshatrat e rajonit të Mitrovicës”. Ai thotë se tashmë kanë identifikuar hapësirat të cilat kanë nevojë për t’u pastruar mbeturinat. ”I kemi identifikuar rreth 10 vende që kanë nevojë për pastrim nga mbeturinat”. Ndonëse ky aktivitet pritet të mbahet të shtunën e 13 qershorit, këta tregojnë një problem me lokacionin në të cilat do të vendosin mbeturinat e mbledhura. Hazir Isufi, vullnetar i aksionit ‘Mitrovica Qytet i Gjelbër’, në një përgjigjie për Klan Kosovën, tregoi se nuk kanë ndonjë vend përveç atyre ku shfrytëzohen për mbeturinat e qytetit. ”Deri tani i vendosnim në thasë të mbeturinave, dhe i linim afër shportave aty”. Megjithatë Isufi i sheh tejet të nevojshme aksionet e tilla të pastrimit pranë liqenit në Mitrovicë. ”Është shqetësuese gjendja e tanishme dhe nëse nuk ndërmarrin sa më shpejt masat për mirëmbajtje profesionale të liqenit dhe hapësirës rreth tij, shumë shpejt mund të shkatërrohet”. Nëse kanë pasur ndonjë mbështetje nga zyrtarët komunalë të Mitrovicës, Kushtrim Hoti thotë se nuk ka ndodhur një gjë e tillë. ”Sa i përket zyrtarëve komunalë ende nuk kemi marrë ndonjë mbështetje nga ana e tyre”, thotë ai. Por pavarësisht kësaj këta ambientalistë thonë se do të vazhdojnë këtë nismë për shtimin e pastërtisë në vendet më të frekuentuara, ndërsa pranojnë se vetëdijësimi qytetarë është i domosdoshëm. ”Ne i ftojmë të gjithë ata që kane ide e dashuri për këtë vend të na bashkohen në aksionin ditës së shtunë me 13 Qershor ora 07:00 e mëngjesit me vendtakim tek ura e liqenit”, shton Hoti. E lidhur me rrezikun shëndetësor me të cilin mund të përballen për shkak të koronavirusit, ambientalisti Hazir Isufi thekson që çdo aktivitet po bëhet duke respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Ai thotë se do të pajisen me dorëza higjienike, maska, antibakterialë dhe gjithashtu do të mbajmë distancën.