90 përqind e pacientëve me COVID në Spitalin e Mitrovicës janë me oksigjeno-terapi (VIDEO) NULL NULL 06.09.2021 23:41 06.09.2021 23:41 Edhe në Spitalin e Mitrovicës janë rritur kapacitetet për të trajtuar pacientët që janë infektuar me COVID-19. Aktualisht në këtë spital janë duke marrë trajtim 58 pacientë teksa 90 përqind e tyre janë në asistimin e oksigjeno-terapisë, njofton Klankosova.tv. Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Spitalit, Luljeta Zhubi, në “Edicionin Special” deklaroi se kanë kapacitete të menaxhimit të situatës. “Për momentin i kemi të shtrirë 58 pacientë në pesë reparte. Me oksigjenim të sforcuar i kemi dy pacientë ndërsa 90 përqind e pacientëve të tjerë i kemi me oksigjeno-terapi”. “Oksigjen kemi mjaftueshëm pasi jemi furnizuar dhe nga sot jemi të kompletuar me staf shëndetësorë edhe me stafin ndihmës që na e ka ofruar Ministria e Shëndetësisë e kjo ka ndihmuar në lehtësimin e punës dhe shërbimeve më kualitative”, tha Zhubi. Në mesin e të infektuarve me koronavirus ka edhe pacientë që kanë marrë të dyja dozat e vaksinës kundër COVID-19. “Kam ardhur në gjendje pak më të rëndë. Jam i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës e për atë nuk i kam simptomat si të infektuarit tjerë këtu pasi nuk kam as temperaturë as kollë – por kam komplikime në frymëmarrje”, tha një pacientë i infektuar. Një paciente që është duke marrë trajtim thotë se nga informacionet se vaksinat janë false nuk është vaksinuar e tash po i vuan pasojat. “Nga sot jam shtrirë në spital dhe jam me simptoma të rënda. Nuk jam vaksinuar pasi ka pasur lloj-lloj informacione nga njerëzit se vaksinat janë false e janë të mbushura me ujë e kripë”. Ndërsa një tjetër i infektuar tha se nuk arriti të vaksinohej ndaj COVID-19 për shkak se nuk kishte termine të lira. “Jam i shtrirë në spital që nga e mërkura, dhimbje nuk kam kurrkund por e ndjej vetën shumë të lodhur. Nuk jam vaksinuar pasi në kohën kur kam dashtë të vaksinohem nuk ka pasur termine – por është shumë më mirë me qenë i vaksinuar”, tha Muhamet Zejnullahu i infektuar me COVID-19. Më shumë rreth gjendjes në spital mund të mësoni nga raportimi i gazetarit, Haris Ademi.