10:00, 11 Korrik 2017 Autor: Shkëlzen Maliqi

Portali KoSSev nis një rubrikë të re në kuadër të faqes Dialog, e cila përbëhet edhe nga rubrikat “Nga ana tjetër e barrikadës” dhe “Bisedë pa shkas”.

Në rubrikën “Në lidhje të drejtpërdrejtë”, kolumnet e tyre javore në muajt në vijim do t’i publikojnë analisti nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, dhe analisti i politikës së jashtme, gazetari nga Beogradi Boshko Jakshiq (Boško Jakšić). Kolumnet e tyre do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Versioni në serbisht i kësaj kolumne mund të lexohet KETU.

Kolumna 4 nga Boshko Jakshiq: “Lista e Shindlerit” ne shqip dhe serbisht.

Kolumna 3 nga Shkelzen Maliqi: “Nuk ka as demokraci pa stabilitet” ne shqip dhe serbisht

Kolumna 3 nga Boshko Jakshiq “Uniforma dhe buka me rriska” ne shqip dhe serbisht.

Kolumna 2 nga Shkelzen Maliqi “Dialogu nuk ka alternative” ne shqip dhe serbisht

Kolumna 2 nga Boshko Jakshiq “Në rrugën prej A në B, Thaçi e humbi ushtrinë” në shqip dhe serbisht

Kolumna 1 nga Shkëlzen Maliqi “Çrregullimi i Ri Botëror”, në shqip dhe serbisht.

Kolumna 1 nga Boshko Jakshiq “Pse e kaluara nuk mund të bëhet histori” në shqip dhe serbisht.

Këtë rubrikë e ka mbështetur KFOS-i. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe qëndrimet e autorëve dhe nuk përfaqësojnë doemos qëndrimet e donatorit.

 

= = = = = = = =

 

Shkëlzen Maliqi: Të gjitha rrugët çojnë në Bruksel

 

Pasi z. Boshko Jakshiq me pyeti drejtpërdrejtë çfarë mendoj për propozimin e Xhon Shindlerit, që bashkësia ndërkombëtare të organizoj një lloj të Kongresit të ri të Berlinit, në të cilin, në baza të përhershme, do të zgjidhej kriza ballkanike, e pranoj sfidën dhe pa shmangie përgjigjem se një konferencë e tillë nuk është aspak reale dhe as e mundshme në rrethanat ekzistuese.

Nuk është Shindleri i pari që del me propozim se çështjet e hapura në Ballkan duhet të zgjidhen në tryezën e bisedimeve, e cila do të bashkonte të gjitha fuqitë botërore dhe vendet ballkanike, me qellim të përfundimit të punëve të cilat janë nisur me Kongresin e Berlinit në 1878. Por nëse në mënyrë objektive merren parasysh çështjet të cilat rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në regjion, sipas Shindlerit fokusi i  konferencës së re do të ishte zgjidhja e çështjes serbe dhe asaj shqiptare, respektivisht krijimi i dy shteteve etnikisht të kufizuara, Serbisë së Bashkuar dhe Shqipërisë së Bashkuar, gjë që si pasojë kolaterale do të kishte, siç e thekson edhe vet Jakshiqi, krijimin e Kroacisë së Bashkuar. Me qellim nuk i kam përdorur sintagmat e kompromentuara Serbia e Madhe, Shqipëria e Madhe dhe Kroacia e Madhe, sepse Shindler, ashtu si propozuesit tjerë të këtij modeli për rindërtimin e sistemit të stabilitetit në Ballkan, niset nga presupozimi racional se bashkimi dhe kufizimi i dakorduar i serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve do të fuqizonte stabilitetin dhe sigurinë e regjionit.

Megjithatë kjo “zgjidhje” do të kishte edhe pasoja të tjera, madje jo vetëm kolaterale, por edhe efekte të synuara problematike, të cilat gati se nuk mund të imagjinohen si jokonfliktuoze. Këto bashkime, madje edhe nëse çdo gjë do të shkonte për së mbari ndërmjet serbëve nga njëra anë, e shqiptarëve dhe kroatëve nga ana tjetër, nuk mund të bëhen në mënyrë ideale pa kërcënuar dy shtete sovrane e anëtare të OKB-së – Bosnjën e Hercegovinën dhe Maqedoninë. Që bashkimi i serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve të jetë i plotë, shkatërrimi i Bosnjës e Hercegovinës dhe Maqedonisë është i pashmangshëm, pjesët e të cilave do të ndaheshin dhe do të hynin në shtetet e rritura etnike, me ç‘rast Boshnjakëve/Myslimanëve dhe Maqedonasve do t’iu lihej mundësia të krijojnë shtetet e tyre etnike territorialit të zvogëluara.

Skenari i tillë paraqet alarm për konflikte të reja të armatosura, edhe pse teorikisht është e mundur që në një lloj të ri të Kongresit të Berlinit do të projektoheshin kalimet jokonfliktuoze në rikomoponimin etnikisht radikal të pjesës problematike të Ballkanit. Prandaj, mund të paramendojmë se në një marrëveshje të madhe etnike do të përfshiheshin Maqedonasit dhe Boshnjakët/Myslimanët, me bindje ose vullnetarisht, pasi edhe ne mesin e tyre ekzistojnë rryma politike të cilat më me dëshirë do të jetonin në shtetet e tyre territorialisht të cunguara se sa që të “vuajnë” në shtetet e bashkuara me serbët e kroatët, në rastin e BeH-së, ose me shqiptarët në rastin e Maqedonisë.

Problemi me plane të tilla është se ato janë thjeshtësisht spekuluese: niset nga presupozimi se kinse të gjithë dëshiruakan shtetet e tyre etnike e pastaj lehtë gjehet “zgjidhja” e cila do të kënaqte të gjithë. Ofrohet kriteri i kufizimeve “objektive” dhe të “sinqerta” në bazë të parimit se territoret i takojnë popullatave shumicë, hartohen harta dhe ofrohen harmoni të palosura në llojin e “çdonjëri në të veten”, “të gjithë në numër dhe me përfitime” e të ngjashme.

Mangësia e këtyre projekteve shindlerike është joserioziteti dhe jorealiteti i tyre. Pra, vetëm pse në disa institute gjeostrategjike janë vizatuar disa harta të reja etnike dhe shtetërore, fuqitë botërore nuk do të marrin vendim vetvetiu nga asgjëja e të organizojnë konferencë në të cilën në mënyrë parandaluese do të rikrijoheshin kufijtë ekzistues. Kufijtë rrallë ndërrohen me marrëveshje, zakonisht bëhet pas konflikteve dhe luftërave.

Boshko Jakshiq me të drejtë vëren se para luftërave të fundit në Ballkan në fillim u paraqitën hartat që projektonin revizione secesioniste ose irredentiste të kufijve ekzistues shtetëror, të cilat pastaj shërbyen për qëllimet e akademikëve, politikanëve dhe gjeneralëve nacionalist. Edhe hartat e Shindlerit do të mund t’i shërbenin qëllimit të njëjtë duke i treguar pikat neuralgjike në regjion në të cilat kriza gati u bë kronike dhe kërcënon me rrënimin e stabilitetit dhe të sigurisë edhe ashtu të brishtë në Ballkan.

Megjithatë për të organizuar një Kongres të ri të Berlinit, duhet të ndodh të ndodh ajo etapa e ndërmjetme e zgjerimit të krizës në lufta të reja, e pastaj të vlerësohet dhe konkludohet se këto lufta rrezikojnë paqen evropiane dhe botërore. Sot, në Ballkan nuk ka zhvillim të tillë të situatës, ekziston vetëm jostabiliteti i brendshëm në gati secilin shtet në regjion por të këto jostabilitete nuk ndërthuren dhe janë larg nga zgjerimi në konflikte regjionale dhe konflikte të tjera. Vetëm duhet të na kujtohen fjalët e Henri Kisinxherit kur kishte filluar lufta në Bosnje, ai kishte pyetur: “A po zgjerohet lufta më tej?”, e kur morri përgjigjen: “Jo”, konkludoi se nuk ka arsye për intervenim pasi e gjitha do të mbetet në këtë “kusi boshnjake”. Pasi kjo kusi megjithatë vloi dhe pasi ndodhen kriza humanitare çfarë Evropa nuk kishte përjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore, posaçërisht në Sarajevë dhe Srebrenicë, u organizua Konferenca e Dejtonit në të cilën u sanksionuan pasojat e luftës, respektivisht pastrimi etnik dhe copëtimi i BeH-së, me konstruktim formal të një konfederate shumë të dobët dhe jofunksionale.

Edhe kusia maqedonase përjetoi shpërthimin në vitin 2001, i cili u zgjidh me intervenim, megjithatë në tokë të vendit, në Marrëveshjen e Ohrit, e cila kryengritjes së shqiptarëve i dha për të drejtë, duke marrë parasysh kërkesat e shqiptarëve për të drejta të barabarta, e duke urdhëruar organizim të ri territorial në Maqedoninë Perëndimore me të cilën shqiptarët pjesërisht kapitalizuan përparësinë e tyre në numra, por Maqedonia mbeti unike.

Pasi Serbia gjatë viteve të ’80-a dhe të ’90-a të shekullit të kaluar ishte kampione e copëtimit etnik të Jugosllavisë, parimi etnik do t’i kthehet si bumerang me rastin e Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat shpallën pavarësinë. Në vend të Serbisë së Madhe, për shkak të së cilës është rrënuar Jugosllavia, Serbisë i mbeti vetëm Vojvodina dhe me kot mundohet të kthej kontrollin mbi Kosovën. Shansin e vetëm serbo-mëdhenjtë tash e shohin në bashkimin e Serbisë dhe Republikës Serbe, madje edhe këtë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme të caktuara – nëse Bosnja dhe Maqedonia do të shkatërroheshin, ose nëse Kosova dhe Shqipëria do të bashkoheshin në një shtet. Të gjitha këto skenarë janë të një rreziku të lartë që thërrasin për një luftë të re të madhe, duke e shmangur alternativën ekzistuese të cilën Ballkani e ka duke iu falënderuar faktit se Bashkimi Evropian dhe NATO Pakti kanë zgjeruar kufijtë e tyre deri të Deti i Zi dhe kanë pranuar të drejtën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që në një kohë të afërt të bëhen anëtare me drejta të barabarta në BE. Sipas këtij projeksioni, serbët, kroatët dhe shqiptarët do të bashkoheshin në Bashkimin Evropian. Nuk ka rrugë me më shumë perspektivë dhe më pak konfliktuoze për zgjidhjen e çështjes shqiptare, serbe dhe kroate.

Kur liderët shqiptarë flasin për bashkimin, siç bënë para pak kohësh Edi Rama dhe Hashim Thaçi, ata si vizion të parë të bashkimit e kanë përmendur në kornizat e integrimeve në BE, si rikujtim për burokracinë e Brukselit që t’i jep më shumë vëmendje Ballkanit Perëndimor, sepse në të kundërtën, ashtu si në Evropë, edhe këtu do të fuqizohet euro-skepticizmi dhe autarkitë nacionaliste, bashkuese…

Edhe pse Berlini gjithësi paraqet një stacion të rëndësishëm për politikanët ballkanik, biletat e tyre megjithatë janë të rezervuara për Bruksel.

 

 

(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

 

 

 

 

Lajme të tjera