Pse e kaluara nuk mund të bëhet histori 123 string(12) "Bosko Jaksic" NULL nga Bosko Jaksic 01.03.2017 14:36 01.03.2017 14:36 Portali KoSSev nis një rubrikë të re në kuadër të faqes Dialog, e cila përbëhet edhe nga rubrikat “Nga ana tjetër e barrikadës” dhe “Bisedë pa shkas”.Në rubrikën “Në lidhje të drejtpërdrejtë”, kolumnet e tyre javore në muajt në vijim do t’i publikojnë analisti nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, dhe analisti i politikës së jashtme, gazetari nga Beogradi Boshko Jakshiq (Boško Jakšić). Kolumnet e tyre do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës. Versioni në serbisht i kësaj kolumne mund të lexohet KETU. Kolumna 1 nga Shkëlzen Maliqi “Çrregullimi i Ri Botëror”, në shqip dhe serbisht. Këtë rubrikë e ka mbështetur KFOS-i. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe qëndrimet e autorëve dhe nuk përfaqësojnë doemos qëndrimet e donatorit. = = = = = = = = Pa qëllime promovuese, i udhëhequr vetëm nga dëshira për t’u paraqitur në versionin autentik, dua ta ndaj një jubile me lexuesit. Para dhjetë vjetësh në gazetën “Politika” kam publikuar një kolumne e cila bëri jehonë si një bombë, kishte nxitur një numër tejet të madh të komenteve (në shumicën e rasteve negative), madje e kishte shtyrë edhe Departamentin Amerikan të Shtetit të reagonte. Teksti i titulluar “Mozaiku Ballkanik” ishte shkruar në kohën kur Përfaqësuesi Special i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, kishte kaluar “fluturimthi” nëpër Beograd ku u takua me Kryetarin Boris Tadiq, por Kryeministri Vojisllav Koshtunica kishte refuzuar ta pranonte. Ishte kjo koha kur kishte filluar çimentimi i qëndrimit që çdo pranim i pavarësisë së Kosovës të shpallej si “kundërligjor, jolegjitim dhe i pavlefshëm”. “Epikë e vjetër e shekullit të 14-të, e mbështjellë në folk-paketimin e Serbisë hyjnore: Askush nuk mund të na bëjë asgjë, jemi më të fortë se fati”, pata shkruar. “Gjithnjë dëgjoj që duan të na marrin Kosovën. Si ta marrin, kur ajo as nuk është e jona? E kemi humbur për një kohë të gjatë, ndërsa tapia në tokë i është dorëzuar bashkësisë ndërkombëtare me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Problemi i cili që nga ajo kohë nuk është zgjidhur ka të bëjë me njerëzit, serbët dhe jo-shqiptarët tjerë”. Dukej se bashkëjetesa e luhatshme Tadiq-Koshtunica kërcënohej nga konfrontimi, por doli se lideri i Partisë Demokratike kishte lëshuar pe para nacionalizmit të liderit të Partisë Demokratike të Serbisë, edhe pse në një rast ai pati pranuar: “Kosova sot është më afër pavarësisë dhe çdo qytetar i Serbisë e di këtë”. Ishte koha e armimit të “qëndrimit të fortë” që Serbia “kurrë” nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, “NATO shtetit”, siç e pagëzuan tabloidet. Ahtisari pas negociatave të Vjenës në shkurt të vitit 2006, qartazi kishte thënë që pritja e kompromisit në negociata është “marrëzi”. Beogradi filloi t’i afrohej Moskës duke përsëritur në mënyrë liturgjike që rusët do ta përdorin veton për pavarësinë e Kosovës. Mbrojtjen e “Nënës Rusi” Serbia në dhjetë vjetët në vazhdim do ta paguajë shtrenjtë, ndër të tjera me një çmim tmerrësisht të ultë me të cilin “Gazpromit” ia shiti pasurinë e saj kombëtare – industrinë e naftës dhe rentën minerare. Në përgjithësi, konkludova: “Do të ishte më mirë të mendojmë që nesër, pasnesër të jemi të parët të cilët do ta pranojnë Kosovën. Kështu do të kontribuonim në demokratizimin e tyre dhe më së miri do t’i ndihmonim serbët që jetojnë atje. E pastaj sa më shpejtë në BE”. “Kush jemi, çka jemi pa Kosovën, gati me zë dramatik pyeste veten asokohe Koshtunica para Tempullit të Shën Savës. Nuk e di se si do ta përshkruajë identitetin e tij pa Kosovën lideri i PDS-së, por unë personalisht nuk e kam atë problem. Jam i bindur se nuk jam i vetmi që mendon se po i ndërpritet e ardhmja”, e kisha përfunduar kolumnen për të cilën nacionalistët e butë dhe të fortë më quajnë “tradhtar” dhe “shitës i fjalës më të shenjtë serbe”. Ku jemi sot? Luftërat Ballkanike zgjidhën disa probleme, krijuan disa të reja, por nuk ia dolën të triumfojnë mbi nacionalizmat, që ishin forca kryesore centrifugale e shkatërrimit të ish-RSFJ-së. Duket që nacionalizmat janë si agjentë të huaj: për një kohë janë të fjetur e pastaj vjen koha për zgjim. Duket se kjo kohë ka ardhur tash, ndërsa i përshtatet edhe ambienti i gjerë politik. Popullistët evropianë, kryesisht djathtistë, promovojnë shtetet e tyre kombëtare. Shpesh në këtë mbështeten edhe në vlerat fetare të “ruajtjes së krishterimit”, siç është rasti me liderët në Hungari dhe Poloni. Mbështetje të fuqishme kanë marrë me ardhjen e Donald Trampit dhe sloganit të tij zyrtar, “Amerika e para”. Ky është ai “Çrregullimi i Ri Botëror”, të cilin shumë mirë po e dallon Shkëlzen Maliqi në kolumnen e tij. Si të sqarojmë që nacionalizmat edhe sot me sukses rekrutojnë ndjekës të rinj, ata që nuk mbajnë mend shakullinë e luftës, pastrimet etnike, kampet e përqendrimit dhe ikjet, vrasjet, djegiet e shtëpive, tempujve fetarë… A është ky rezultati i “nacionalizmit familjar”, narrativit që bartet nga brezi në brez duke mundësuar që disa stereotipa të ruhen me ngulm: kroatët nuk durojnë serbët, serbët as ata e as shqiptarët, e kështu me radhë? Duket se po. Të gjitha paragjykimet për primitivizmin, mostolerancën, dhunën, gjithmonë projektohen në palën tjetër. E njëjta vlen edhe për krimet e luftës. Ne madje nuk po mund të pajtohemi as çka është Ballkani Perëndimor, një shprehje gjeografike që na e caktoi Perëndimi edhe pse për sllovenët Ballkani fillon në Kroaci, për kroatët në Serbi ose Bosnje dhe Hercegovinë, për serbët në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Në kohët e fundit, pas dy dekadash të paqes relative, regjioni po nxehet përsëri. Nën zjarrin e obusit me kërcënime dhe ofendime, të mbështetur me logjistikën e retorikës kuazi-patriotike, krijohet një ambient i jotolerancës absolute, i përkufizuar me formulën: “Kush nuk është me ne, është kundër nesh”. Polarizimi i rrezikshëm politik po i rrënon themelet e pajtimit dhe solidaritetit elementar. Jo-origjinalë siç janë, si rezultat i fosilizimit politik, politikanët e regjionit në kor shpërndajnë panikun duke alarmuar se pas pakënaqësive qëndron “faktori i huaj”, i cili me “komplotet” e tij mundohet t’i largojë nga pushteti. Në njërën anë “tradhtarët” dhe “mercenarët e huaj”, e në tjetrën “patriotët” me ngarkesë të lartë nacionale. Mu si dikur. Gjërat duhet emëruar me emër të vërtetë: fjala është për konflikt ndërmjet “demokracisë joliberale” karshi “demokracisë liberale”. Ithtarëve të shoqërisë së qytetëruar kundër atyre që pengojnë krijimin e një shoqërie të tillë. Pakënaqësia në rritje është simptomë e Ballkanit. Për së paku dy arsye. E para është paaftësia e pushtetit t’i zgjidh problemet ekonomike, që njerëzve t’iu sigurojë punë dhe standard të duhur të jetës dhe të shkundin korrupsionin. E dyta është papjekuria politike në ndërtimin e shoqërisë bashkëkohore demokratike, institucioneve të shtetit dhe të sundimit të ligjit. Nxitja e një populli kundër popullit tjetër nga ana e tyre, bixhozi me qytetarët, të cilët me vetëdije i polarizojnë, gjithsesi nuk paraqet trimëri. Edhe më pak mençuri politike. Fjala është për arrogancë të cilës nuk i mjafton rikujtimi që disa njerëz duan të përdorin të drejtën e tyre për të shprehur publikisht kundërshtimin. Ndër të tjera, për këtë edhe po zhvillohen kaq ngadalë bisedimet në Bruksel. Megjithatë, më së shumti i frenon diçka, që në diskursin publik, së paku, rrallë dëgjohet: duam apo nuk duam, duhet të pranojmë që bisedime për “normalizim” nuk do të kishte fare po të pyeteshin politikanët në Beograd, respektivisht në Prishtinë. Dialogu është i imponuar. Dy palët janë të kushtëzuara të negociojnë pasi ky është parakushti i afrimit të tyre me Bashkimin Evropian. Pyes veten pse e kaluara nuk mund të bëhet histori? Pse është bërë kaq pak pas një dekade të “Mozaikut Ballkanik”? (Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj) *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.