Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mos e fajësoni Qosiqin

123
string(17) "Liljana Smajlovic" NULL
nga Liljana Smajlovic 01.03.2017 14:01
Baton, pasi veçse po flasim për Kosovën pa serbë, çka është më e rrezikshme për serbet e mbetur në Kosovë: ëndrrat e serbëve të vdekur apo planet e shqiptarëve të gjallë?

 

A është ky momenti të cilit i frikohesha?
Sepse ishte e pashmangshme që Batoni në një moment haptazi të më pyes: E cila është zgjidhja jote për Kosovën?
As nuk e kam menduar se do të jetë si Brukseli, i cili Kosovën e trajton si qershi mbi tortë në bisedimet me Serbinë, duke lënë çështjen kryesore për fund.

Njeriu gjithmonë më lehtë gjen vërejtje në zgjidhjen e tjetërkujt, sesa të mendojë të veten. Kjo është bukuria e bukës së gazetarit: je ulur anash, vështron, gjuan fjalë dhe përherë thirresh në interesin publik. Ndërsa zgjidhjet e huaja i konsideron si pëllumba me këmbë nga argjila.
Megjithatë, nuk mund të mos e vërej që as Batoni nuk e ka propozuar zgjidhjen e tij. Thotë që është “për Kosovë të pavarur, pa ndarje dhe me serbët”, por që është edhe “për respektimin e të gjitha të drejtave të tyre dhe çdo respekt për ta”.

Unë këtë shtesë e lexoj si pranim nga ana e tij që në Kosovë, madje edhe nëntë vjet pas pavarësisë së vetëshpallur, assesi nuk po funksionon “respektimi ndaj serbëve dhe konsiderimi i drejtave të tyre”. Vetëm se Batoni nuk thotë nëse ekziston mënyra që shqiptarët në Kosovë të joshen për t’i respektuar serbët dhe t’i marrin në konsideratë të drejtat e tyre. Kur do ta shohim këtë mrekulli? Çfarë duhet të ndodh para se të përjetojmë edhe këtë?

Shumë mirë më kujtohet dekada e parë e këtij shekulli dhe argumentet e miqve me ndikim të shqiptarëve të Kosovës në favor të pavarësisë së Kosovës. Në faqet e mediave kryesore botërore arsyetonin trazirat e vitit 2004 me frustrimin e shqiptarëve dhe “zemërimin e pranueshëm” të tyre për shkak të paqartësisë lidhur me statusin përfundimtar të krahinës. Ata sqaronin se serbët në Kosovë do të jenë më të sigurt kur shqiptarët të mos jenë të nervozuar më, që kështu edhe rrënimi i manastireve nga Mesjeta dhe djegia masovike e shtëpive të serbëve të shërbente si erë në shpinë për zgjidhjen radikale dhe të shpejtë të statusit të Kosovës.

Si ta shtyjmë shumicën shqiptare që së paku t’i durojë ata serbë të cilët ende kanë mbetur në Kosovë, nëse jo t’i respektojë dhe t’i marrë në konsideratë?

Kjo do të ishte pikënisja më e mirë për bisedën serbo-shqiptare për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Them se Batoni pajtohet që ekziston problemi i cili nuk është zgjidhur me shpalljen e njëanshme të pavarësisë.
Por, prej nga e mori Batoni idenë që ndarja e Kosovës është një rrezik i qartë dhe i pranishëm (“clear and present danger”, siç do të thoshin amerikanët), një kob që u shtri mbi krahinën?

Përkundër pohimeve të tij, në Serbi gati aspak nuk flitet për ndarjen e Kosovës. Po, Dobrica Qosiq e propozonte këtë në kohën e tij, por edhe këtu kaloi si “dathë nëpër therra”: kombet shumë rrallë heqin dorë nga territoret pa luftë, e lërë më nga vendet më të shenjta. Por, nuk më kujtohet që Qosiqi këtë ide e shtynte nga pozita e pushtetit, në aq pak kohë sa ishte Kryetar i Jugosllavisë. E di që pas atentatit ndaj Zoran Gjingjiqit, të gjithëve u thoshte që Zoranin para vdekjes e kishte nxitur të mendonte seriozisht për idenë e ndarjes, por unë e njihja Zoran Gjingjiqin dhe ai nuk ishte njeri i cili shumë lehtë ngazëllehej nga idetë e të tjerëve. Të shumtë janë ata të cilët duan ta reinterpretojnë Gjingjiqin, por të paktë janë ata në Serbi që janë të bindur se përgatitej ta ndante Kosovën dhe se vdekja e kishte ndalur në këtë. Nuk ekziston asnjë dëshmi e bindshme për këtë.

Edhe më shumë më befason fakti që Batoni në mesin e liderëve që kanë ëndërruar ndarjen vendos edhe Vojisllav Koshtunicën, e me sa kam njohuri, as Boris Tadiqi nuk avokonte për ndarje. Vetëm Ivica Daçiq flet për këtë dhe nuk e kam vërejtur që ta ketë marrë seriozisht dikush ndonjëherë, përfshi edhe perëndimorët, të cilët e kanë për shtati zakonisht.

Për mua paraqet plotësisht risi që “së fundi” edhe Aleksandër Vuçiq, siç thotë Batoni, “ka ndier momentin vendimtar që të thuhet fjalia e fundit e shpëtimit për ndarje dhe përkufizim territorial ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”. Kur e ka ndier këtë? Kur e ka thënë këtë? Nëse ka ndodhur, kjo ka mbetur e fshehur nga publiku në Serbi.

Përkundrazi, nga dialogu që në këtë portal zhvillojnë kolegët tanë, Sllobodan Antoniq dhe Fadil Lepaja (shumë më të rregullt dhe më të përpiktë se ne, më duhet të konstatoj në mënyrë vetëkritike), e shoh që Sllobodani po nevrikoset pse Vuçiq po ëndërron për një lloj unioni doganor të Ballkanit Perëndimor, në të cilin do të integroheshim të gjithë ne këtu. Sipas kësaj i bie që ai nuk po mendon për dezintegrimin por integrimin, për të cilin në Serbi ndoshta ende nuk ka oreks.

Diçka më duket e pazakontë. Instinktivisht e ndaj mosbesimin e thellë të Batonit ndaj politikanëve dhe qëllimeve të fshehta të tyre, ndoshta këtë e kemi deformim profesional, por nuk po mund të mos e vërej që bashkëbiseduesi im nuk e përmend asnjë politikan shqiptar për të cilin dyshon që kultivon ambicie për të ndarë territore me serbët. Ndoshta është fjala vetëm për kujdes, pasi idetë e tilla nuk do të pranoheshin mirë në Kosovë. Por, sa do të mund të ishte e rrezikshme për Kosovën ajo të cilën gjoja e ëndërrojnë fshehurazi politikanët serb, ndërsa nga pozita e pushtetit as nuk guxojnë ta thonë?

Ky nuk është një rrezik i drejtpërdrejtë i cili do të nxiste alarm në Kosovë e posaçërisht jo nëse askush nuk e thotë këtë publikisht. Nuk po i llogaris disa analistë të huaj të cilët në mediat në perëndim kanë nxjerrë hipotezat e tyre për ribërjen e mundshme të kufijve dhe projekteve shtetërore në Ballkan, pasi nuk e kam vërejtur se është fjala për persona të ndonjë rëndësie të veçantë.

Kur në fillim të shekullit Departamenti i Shtetit u pajtua që më parë do të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës sesa Kosova në standarde demokratike, dhe kur filloi fushata publike që Perëndimi edhe zyrtarisht të heq dorë nga politika “standardet para statusit”, në këtë fushatë me plot fuqi morën pjesë fytyrat siç ishin Ueslli Klark, Robin Kuk, Kris Paten, Garet Evans. Pra, të gjithë ish kryeministra, ministra të punëve të jashtme, komandant të NATO-s… Një etalon tërësisht ndryshe. E di që edhe ata i kishin angazhuar kompanitë lobuese, edhe pse këto ishin kompani të shtrenjta dhe angazhonin vetëm emrat më me peshë.

Mbaj mend edhe diçka tjetër nga ajo kohë. Beogradin e vizitonin kolona të burrështetasve perëndimorë, të cilët na lusnin të kuptonim që pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Pse kjo nguti e pavend, pyesnim ne? Serbia ka pushtet demokratik, respekton vlerat demokratike dhe garanton të drejtat e pakicave, ndërsa ushtria e saj nuk e kërcënon askënd e nuk e rrezikon askënd. Pse të zgjidhet çështja e Kosovës me shkeljen e të gjitha interesave kombëtare të serbëve, e plotësimin e të gjitha interesave të shqiptarëve.
Zyrtarët vizitues nga perëndimi kapeshin për fije kashte për të sqaruar motivet e tyre. Na thoshin që “Millosheviqi ka humbur Kosovën” dhe se duhej të fajësonim atë për fatin e mijëra e mijëra të bashkëkombësve tanë që ishin dëbuar nga “Serbia e vjetër” mitologjike.

Por, Millosheviqi në atë kohë veçse ishte dy metra nën dhe. Aty ku është tash edhe Dobrica Qosiqi. Ne nuk jemi fëmijët e tyre, as në kuptimin e bartur e as në atë metaforik, e lërë më në kontekstin e përgjegjësisë kolektive. Mendoj që pala serbe nuk ka arsye as të negociojë për ndarjen e Kosovës nëse pala shqiptare paraprakisht nuk e kërkon këtë seriozisht. Në fakt, paksa më shqetësoi edhe perceptimi i Batonit që këtu ka politikanë që janë të gatshëm për të luftuar për një copë të vogël të Kosovës. Kur është fjala për Serbinë, kisha thënë që këto janë lajme të rrejshme, “fake news”.

Virgjëresha e Levishit (“Bogorodica Ljeviška”) është djegur mu për shkak të “fake news” për mbytjen e supozuar në ujë të fëmijëve shqiptarë nga serbët. Kështu filluan trazirat e fundit.
Brengosem për sigurinë e serbëve të mbetur në Kosovë. Nuk jam e bindur që rreziku kërcënon nga politikanët serbë që ëndërrojnë ndarjen. Mua më duken më të rrezikshëm politikanët shqiptarë që ëndërrojnë për një Kosovë pa serbë.
Le ta lënë Dobrica Qosiqin të ëndërrojë në amshim. Frikohem që të mos e përdorin si arsyetim në këtë kohë të turbullt të Trampit, siç e quan Batoni, e cila ndoshta i frikëson.

 

(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

 

= = = = = = = =

 

Platforma KoSSev ka nisur rubrikën e re “Bisedë pa shkas”, me përkrahje nga Ambasada Amerikane, në kuadër të faqes së re “Dialogu”.

Në “Bisedë pa shkas” kolumne javore gjatë muajve të ardhshëm do të publikojnë Liljana Smajlovic, kryeredaktorja e deritashme e gazetës Politika nga Beogradi, dhe Baton Haxhiu, drejtor i Klan Kosovës.

Këto kolumne do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Versioni i kësaj kolumne në gjuhën serbe mund të lexohet KETU.

Kolumnja 4 nga Baton Haxhiu: “Jeta jonë në dëshirat e politikanëve” në shqip  dhe serbisht.

Kolumnja 3 nga Liljana Smajlovic:  “Me pyetje ndaj përgjigjeve” në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 3 nga Baton Haxhiu: “Melania” në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 2 nga Liljana Smajlovic: “Kur serbët ngazëllohen e shqiptarët vajtojnë”, në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 2 nga Baton Haxhiu: “Katarsis”, në shqip dhe serbisht

Kolumnja 1 nga Liljana Smajlovic: “Kur them ‘Politika’, mendoj Serbia”, në shqip dhe serbisht

Kolumnja 1 nga Baton Haxhiu: “Ndryshimi i komunikimit për ridefinim konstruktiv të realitetit”, në shqip dhe serbisht

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme