ZRrE: Konsumatorët familjarë kanë të drejtë ligjore ta zgjedhin furnizuesin e vet rrymës NULL NULL 10.02.2026 11:49 10.02.2026 11:49 Familjet kosovare marrin rrymë veç nga një kompani. Por, edhe të tjera mund të hyjnë në garë për furnizimin e tyre me energji elektrike. Përveç bizneseve ekziston mundësia që edhe qytetarët të dalin në tregun e lirë të energjisë. Që secili konsumator të ketë të drejtë ta zgjedhë vetë furnizuesin e tij e përkrahin edhe nga Instituti për Politika Zhvillimore. Nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) janë përgjigjur për gazetaren e Klan Kosovës, Sala Gashi, nëse kjo mund të ndodhë dhe si funksionon. Kjo e drejtë, sipas ZRrE-së ekziston për të gjithë konsumatorët dhe mund të ushtrohet në çdo kohë. Por, për këtë duhet të plotësohen kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale, transmeton Klan Kosova.tv “Konsumatorët familjarë, pavarësisht se aktualisht furnizohen në kuadër të shërbimit universal dhe përfitojnë nga rregullimi tarifor, kanë të drejtë ligjore të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Kjo e drejtë ekziston në mënyrë të barabartë për të gjithë konsumatorët dhe mund të ushtrohet në çdo kohë, në përputhje me kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale përkatëse.” Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i paraparë me kornizën ligjore në fuqi dhe me obligimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. Në këtë kuptim, funksionimi i tregut bazohet në parimin e hapjes së tregut dhe të drejtës së konsumatorëve për zgjedhje të lirë, njoftoi tutje ZRrE. Më poshtë mund ta ndiqni kronikën e realizuar gjatë ditës së djeshme.