Vdes në moshën 102-vjeçare piktori francez i njohur si “mjeshtri i të zezës” (FOTO) NULL NULL 26.10.2022 22:15 26.10.2022 22:15 Pierre Soulages, piktori francez që u bë i famshëm me pikturat e tij që pasqyrojnë përdorimet e ndryshme të ngjyrës së zezë, ka vdekur në moshën 102-vjeçare. Lajmi u dha nga miku i tij i vjetër Alfred Pacquement, i cili është president i Muzeut Soulages në qytetin e lindjes së piktorit, Rodez, në Francën jugperëndimore, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova. Për artistin abstrakt, kishte vetëm një ngjyrë: e zeza. Ai kaloi një jetë duke eksploruar dritën brenda saj. “Unë e dua autoritetin e të zezës, ashpërsinë e saj, dukshmërinë e saj, radikalizmin e saj”, deklaronte piktori i cili ishte gjithmonë i veshur me të zeza. “Është një ngjyrë shumë aktive. Ndizet kur e vendosni pranë një ngjyre të errët”, thoshte ai për AFP në një intervistë në shkurt të vitit 2019. Veprat e artistit francez kanë marrë shuma shtatëshifrore. Një kanavacë e vitit 1960 me vija të trasha të zeza u shit në ankand në Luvër për 10.5 milionë euro. I njohur në Francë, por më pak i njohur ndërkombëtarisht, pikturat e tij varen në më shumë se 110 muze në mbarë botën, duke përfshirë Guggenheim në Nju-Jork dhe Galerinë Tate të Londrës, me qindra të tjera të vendosura në Musee Soulages, që u hap në 2014. Për ditëlindjen e tij të 100-të në dhjetor të vitit 2019, ai u nderua me një retrospektivë në Luvër – një nder i rrallë për një artist të gjallë. klankosova.tv