Vdekja e punëtorit, Inspektorati i Punës: Herët të nxirren konstatime përfundimtare NULL NULL 29.07.2026 13:55 29.07.2026 13:55 Inspektorati Qendror i Punës, edhe njëherë ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së punëtorit që humbi jetën në aksidentin e ndodhur dje në një kantier ndërtimi në Prishtinë dhe i uroi shërim sa më të shpejtë punëtorit të lënduar. Përmes një postimi në Facebook, theksohet se ky rast po trajtohet me prioritet të lartë dhe thuhet se IQP është duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive, transmeton Klankosova.tv. Për shkak nevojës për sqarim, Inspektorati tha se mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në raport me punëmarrësit, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e tjerë që kanë qasje të autorizuar në kantier, është kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës. Mrgjithatë, sipas IQP-së, sa i përket sigurisë së palëve të treta dhe parandalimit të dëmeve që mund t’u shkaktohen atyre, Ligji për Ndërtim, “përkatësisht neni 35, përcakton se përgjegjësia për mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit i takon inspektorateve të ndërtimit të komunave përkatëse, të cilat janë kompetente të ndërmarrin masa ndaj subjekteve ndërtimore që cenojnë rregullat e sigurisë, duke përfshirë edhe rastet kur rrezikohen pronat ose personat jashtë kantierit”. Po ashtu, lidhur me lejen ndërtimore dhe përmbushjen e kushteve ndërtimore, Inspektorati Qendror i Punës thotë se nuk ka kompetencë ligjore për të vlerësuar nëse janë plotësuar apo jo kushtet për lëshimin e lejes ndërtimore, pasi kjo është përgjegjësi e autoriteteve kompetente sipas legjislacionit në fuqi. “Në këtë fazë është ende herët të nxirren konstatime përfundimtare, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësitë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në njoftim. Nëse nga hetimet konstatohet se ka pasur shkelje të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Inspektorati Qendror i Punës do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore brenda kompetencave të tij dhe do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë. Në funksion të parandalimit të rasteve të ngjashme në të ardhmen, Inspektorati Qendror i Punës konsideron se është e nevojshme të forcohet koordinimi institucional ndërmjet autoriteteve përgjegjëse për lëshimin e lejeve ndërtimore dhe institucioneve mbikëqyrëse. “Aktualisht, Inspektorati Qendror i Punës nuk njoftohet në mënyrë sistematike nga komunat për lëshimin e lejeve ndërtimore apo fillimin e punimeve në kantieret e ndërtimit. Për pasojë, planifikimi i mbikëqyrjes inspektuese bazohet në monitorimin e vazhdueshëm të territorit, raportimet e qytetarëve dhe burime të tjera të informacionit, e jo në një mekanizëm ndërinstitucional të shkëmbimit të të dhënave”.