Tik Tak – gati i shkuan 15 ditët e Konjufcës për ta bërë Qeverinë NULL NULL 18.11.2025 12:02 18.11.2025 12:02 Afati 15-ditësh po mbaron! Koha që ka mandatari Glauk Konjufca për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të qeverisë përfundon nesër, por nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka sinjale se ai do të marrë mandatin për formimin e ekzekutivit. Konjufca u propozua si mandatar më 4 nëntor, pas dështimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të krijuar një mazhorancë parlamentare të qëndrueshme, pasi nuk mori votat e mjaftueshme. E pak orë më pas, edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e emëroi Konjufcën si mandatar, i cili duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për të siguruar zgjedhjen si kryeministër. Partitë opozitare vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e njëjtë, raporton Klankosova.tv. Njëzëri PDK, LDK, AAK, NISMA, i thane “JO” një qeverie ‘Konjufca 1’. Deputeti i PDK-së, Artan Behrami deklaroi ditë më parë se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po e thotë një të pavërtetë kur thotë se ka numrat që ta bëjë Qeverinë në krye me tashmë mandatarin Konjufca, transmeton Klankosova.tv. Behrami e ka bërë të qartë qëndrimin e PDK-së që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje. “Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim. Partia Demokratike e Kosovës është që të shkojmë sa më shpejt në zgjedhje dhe të kemi parlament dhe qeveri të re. Qeveria kurrë si ka pas numrat, as për kuvend e as për qeveri pra ata kanë rrejt tash e një vit. Por rrena është doktrinë politike e Albin Kurtit e fatkeqësisht nuk është doktrinë shqiptare por është doktrinë serbe”, theksoi Behrami. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj tha se partia e tij nuk ka votë për LVV-në dhe nënvizoi se vendi është në ngërç politik, sipas tij, nga lojërat e fituesit të zgjedhjeve. “Ne e kemi bërë shumë të qartë disa herë dhe e them sërish se nuk kemi votë për Lëvizjen Vetëvendosje, ne e kemi thënë qartazi se kemi interesim, ka kalu kohë, kemi humb muaj të tërë në ngërç politikë dhe në lojëra politike të fituesit të zgjedhjeve tash është radha për zgjedhje të reja dhe pastaj qytetarët e Kosovës me vendos se si do të duket qeveria e ardhshme e Kosovës. Duhet të shkojmë në zgjedhje sa më parë të jetë e mundur në mënyrë që me i arrit afatet tjera kushtetuese e sidomos buxheti i vendit është shumë me rëndësi të votohet pas krijimit të institucioneve të vendit”, theksoi deputeti i LDK-së. Edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk do ta takohen me VV-në pa pasur ndonjë ofertë konkrete. Sakaq, edhe Albert Maxhuni nga NISMA Socialdemokrate, thotë se kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj, nuk është kontaktuar nga Konjufca për të arritur marrëveshje në formimin e organit qeverisës. E deri në këto momente nuk ka kërkesë për seancë në Kuvendin e Kosovës, ka bërë të ditur Sekretari i Kuvendit Arben Loshi. /Klankosova.tv Konjufcës po i mbaron afati, kërkesë për seancë nuk ka