Tahiri: Qeveria në detyrë po rrezikon administratën publike me konkurse të diskutueshme dhe dobësim të shërbimit civil NULL NULL 19.06.2026 14:02 19.06.2026 14:02 Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si po vepron Qeveria në detyrë, duke e akuzuar atë për shpallje të konkurseve për pozita të larta drejtuese në një periudhë kur, sipas tij, mandati është i kufizuar dhe legjitimiteti institucional i kufizuar. Ai ka thënë se një qasje e tillë bie ndesh me frymën e Ligjit për Qeverinë dhe krijon dyshime për ndikim politik në administratën publike para formimit të qeverisë së re. Tahiri ka ngritur edhe shqetësime për dobësimin e garancive juridike të shërbimit civil, duke theksuar se shndërrimi i pozitave drejtuese në mandate të kufizuara cenon pavarësinë dhe profesionalizmin e administratës publike, si dhe largohet nga standardet evropiane të një shërbimi civil meritokratik. Në vijim, ai përmes një shkrimi në Facebook ka kritikuar edhe përdorimin e ushtruesve të detyrës në kundërshtim me ligjin, duke iu referuar raportit të Auditorit, sipas të cilit vetëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë evidentuar 29 pozita me ushtrues detyre, prej të cilave disa të konsideruara problematike. Sipas tij, këto praktika nuk janë raste të izoluara, por tregojnë një trend shqetësues drejt politizimit të administratës dhe dobësimit të meritokracisë në institucione. Megjithatë, Tahiri ka shfrytëzuar Ditën e Shërbimit Publik për të shprehur mirënjohje për nëpunësit publikë që, sipas tij, me integritet dhe profesionalizëm i shërbejnë qytetarëve dhe shtetit çdo ditë.