Sytë kah Kushtetuesja, Hasani: Gjykata ta konstatojë shkeljen për nënkryetarin serb, t’i japë leksione Bashës NULL NULL nga Albina Haxholli 29.09.2025 18:48 nga Albina Haxholli 29.09.2025 18:48 Jeton Hasani, avokat dhe njohës i çështjes kushtetuese Numërimi mbrapsht ka filluar deri te skadimi i masës së dytë të përkohshme që Gjykata Kushtetuese ia vendosi Kuvendit të Kosovës. Vendimi erdhi pas kërkesës së dorëzuar nga Lista Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të këtij institucioni nga komuniteti serb. Ani pse Kushtetuesja ka muaj që merret me çështjen e Parlamentit, dhe përkundër aktgjykimeve të nxjerra më pas, një vendim tjetër pritet të dalë së shpejti. Dy skenare i parasheh avokati dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Jeton Hasani, i cili ka treguar se çfarë pritet të ndodhë nesër. Në një deklarim për Klankosova.tv, avokati Hasani thotë se nesër ose do të zgjatet masa e përkohshme në rast se Gjykata Kushtetuese nuk është ende e gatshme për një vendim final, ose publikohet vendimi. Hasani deklaron se aktgjykimi do t’i konstatojë shkeljet në çështjen e nënkryetarit serb, si dhe kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit, t’i japë një mësim, pasi ky i fundit një muaj më parë shpalli Parlamentin si të konstituuar. “Nesër më 30 shtator përfundon kohëzgjatja e masës së përkohshme të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, me të cilën pamundësohet zhvillimi i punimeve të Kuvendit deri në një vendim final të Gjykatës. Janë dy mundësi se çfarë do të ndodhë nesër: ose zgjatet masa e përkohshme, në rast se Gjykata Kushtetuese nuk është ende e gatshme për një vendim final; ose publikohet vendimi final (të paktën dispozitivi i tij, siç rëndom po ndodhë tash e një kohë)”. Sipas Hasanit situata nuk është edhe aq e komplikuar, prandaj pret që Gjykata të publikojë qëndrimin e saj, duke gjetur se veprimet në seancën e fundit të Kuvendit drejt zgjedhjes së nënkryetarëve ishin jokushtetuese. Sa i përket problemeve rreth (mos)konstituimit të Kuvendit, sipas Hasanit të njëjtat nisën kur u vendos të mos votohej në pako për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë. Mes tjerash, njohësi i çështjeve kushtetuese, potencoi se mënyra e veprimit rreth zgjedhjes së nëkryetarit nga komuniteti serb, është tërësisht jokushtetues, derisa e argumenton çështjen. “Mënyra e veprimit rreth zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti joshumicë serb është tërësisht jokushtetues për shumë arsye. Fillimisht, mënyra siç u veprua përmbyste vullnetin e deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë, duke qenë se kishte konsensus mes tyre se kë ta zgjidhnin si nënkryetar që do t’i përfaqësonte interesat e tyre në Kryesinë e re të Kuvendit”. “Problemet u paraqitën kur u vendos të mos votohej në pako për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë, gjë e cila paraqet problem të jashtëzakonshëm për interesat e këtyre komuniteteve brenda Kuvendit. Sepse votimi në pako shërben si mekanizëm mbrojtës që mundëson zgjedhjen e përfaqësuesve nga komunitetet, të cilët, natyrshëm, nuk kanë kapacitetin e nevojshëm numerik që të zgjedhin vetë nënkryetarët e tyre – ndryshe mbesin pa përfaqësues në Kryesi të Kuvendit, duke u shkelur kështu dispozitat kushtetuese që garantojnë përfaqësimin e komuniteteve në Kryesi”, tha avokati për Klankosova.tv. Sipas Hasanit, kalimi i votimit të nënkryetarit nga komuniteti serb me anë të shortit, përbën absurdin e radhës, “i cili po ashtu është kundërkushtetues për shkak të shkeljeve të mëhershme”. Avokati thekson se nuk është në diskrecion të kryekuvendarit që të shmanget mekanizmi mbrojtës i votimit në pako, e as të përmbyset vullneti i deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë, të cilëve u takon të zgjedhin vetë se kush do t’i përfaqësojë në Kryesi të Kuvendit. Pasi Dimal Bashi e shpalli të konstituuar organin më të lartë legjislativ, Hasani tha se vetëm pas zgjedhjes adekuate të të gjithë nënkryetareve do të mund të konsiderohet Kuvendi i funksionalizuar. “Pres që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të theksojë qartë këto shkelje dhe të japë leksionet e duhura për Kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit. Kuvendi nuk do të mund të konsiderohet i konstituuar deri sa të zgjidhen të gjithë nënkryetarët në mënyrën e duhur, ku kjo është kërkesë e qartë kushtetuese. Nuk është në diskrecion të Kryetarit të ri të Kuvendit që të shmanget mekanizmi mbrojtës i votimit në pako, e as të përmbyset vullneti i deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë, të cilëve u takon të zgjedhin vetë se kush do t’i përfaqësojë në Kryesi të Kuvendit. Vetëm pas zgjedhjes adekuate të të gjithë nënkryetareve do të mund të konsiderohet Kuvendi i konstituuar dhe do të mund të vazhdohet me veprimet tjera drejt funksionalizimit të institucioneve”, u shpreh juristi. /klankosova.tv