Specialja nga java e ardhshme nis me dëgjimin e dëshmitarëve (VIDEO) NULL NULL 05.04.2023 09:52 05.04.2023 09:52 Jakup Krasniqi ne Hage 11:-07 – Përfundon seanca, javën tjetër niset me dëshmitarët Pas përfundimit të fjalës së Jakup Krasniqit dhe avokates Venkateswari Alagendra, ka përfunduar seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë. Është marrë vendim që seanca e radhës të mbahet të martën më 11 prill, ku do të niset me dëgjimin e dëshmitarit të parë. 11:05 – Krasniqi, gjykatës: Kam lindur me dinjitet, dua të vdes me dinjitet Jakup Krasniqi, ish-Zëdhënës i UÇK-së dhe ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka mbajtur një fjalim para gjykatës, mbi 15 minuta. Duke folur për jetën e tij, Krasniqi, ka thënë se aspirata e tij e vetme ka qenë bashkimi kombëtar. “Edhe deklaratat e mia kanë qenë në funksion të ngjalljes së shpresave që bashkimi do t’i rriste gjasat për fitore. Deklaratat e mia duhej të shiheshin në funksion të afirmimit të luftës tonë”. Ai ka shtuar se më shumë e ka lënduar aktakuza e ngritur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, sesa aktgjykimet ndaj tij nga ish-Jugosllavia. “Unë kam lindur me dinjitet dhe dua të vdes me dinjitet. Nuk kam kryer krime as para luftës, as gjatë luftës, as pas luftës. Nuk kam qenë i përfshirë në vepra kriminale as me veprim, as me mosveprim, as me nxitje. Kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar që ka qenë qëllimi im kryesor jetësor”. 10:45 – Krasniqi: Vetë isha pjesë e LDK-së – absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të saj Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij përpara trupit gjykues ka thënë se është absurde të akuzohet për persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Krasniqi tha se ai ishte kryetar i degës së LDK-së në Drenas që nga fundi i vitit 1997 deri në prill të vitit 1998. “Unë vet isha anëtar i LDK-së. Familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendjeje të çoroditur mund t’i ketë lindur ideja që unë kam mundur të isha pjesë e persekutimit tim, të familjarëve të mi dhe bashkëluftëtarëve të mi”, është shprehur Krasniqi, njofton Klankosova.tv. Tutje, Krasniqi tha se pjesë e LDK-së ishte edhe vëllai i tij, Agimi, ndërsa shtoi se në zgjedhjet e pasluftës, mbesa e tij, Mimozë Krasniqi, si anëtare e LDK-së u zgjodh asambliste në Drenas. “Pa marrë parasysh se pas përfundimit të luftës kemi vepruar në parti politike të veçanta, unë ruaj kujtimin dhe respektin për anëtarët e LDK-së me të cilët kemi vepruar në rrethana tejet të rënda”. 10:38 – Jakup Krasniqi: Unë e urrej dhunën, vrasjet, burgosjet, s’kam qenë i përfshirë asnjëherë në to Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi është duke iu drejtuar gjykatës në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Fjalën e tij ai e ka nisur duke prezantuar një autobiografi të tij që nga lindja, për të kaluar më pas në aktivitetin politik. Duke treguar se vetë ka qenë i dënuar nga ish-Jugosllavia, Krasniqi ka thënë se akuza që i bëhet tani është e paarsyeshme. “Unë e urrej dhunën, vrasjet, burgosjet, torturat, dënimet, jo pse janë ushtruar ndaj meje dhe ndaj nesh si popull por janë tepër të ulëta dhe çnjerëzore. Çdo njeri që flet të vërtetën që asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje, e presion ndaj askujt”, ka thënë Krasniqi, njofton KlanKosova.tv. Ai ka thënë se integriteti i tij personal dhe intelektual nuk do ta lejonte që të përdorte ndaj dikujt dhunë si mjet. 10:20 – Avokatja e Krasniqit: Ai s’ishte përgjegjës për të gjitha komunikatat e UÇK-së Venkateswari Alagendra, avokatja e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, ka thënë se hapja e saj do të përqendrohet në gjashtë gabime thelbësore, për të cilat tha se janë fatale për çështjen e Prokurorisë. Sipas Alagendras, gabimi i parë është që Prokuroria e keqkupton ose qëllimisht e keq përfaqëson rolin e Jakup Krasniqit. “Në qershor të vitit 1998, Krasniqi u emërua si zëdhënës i UÇK-së. Ai nuk kishte asnjë rol të përcaktuar përpara asaj kohe ashtu siç nuk kishte as edhe një Shtab të Përgjithshëm në atë. Nuk mund të nxjerr si përfundim nga pozita e tij si zëdhënës se Krasniqi ishte përgjegjës për të gjitha komunikatat mbi të cilat Prokuroria vendos kaq shumë peshë”, është shprehur Alagendra, njofton Klankosova.tv. Tutje, ajo tha se pozicioni i Prokurorisë është se komunikata e parë nga Krasniqi është nxjerr në vitin 1994, ndonëse kjo është shumë kohë më përpara se Krasniqi të bëhej zëdhënës i UÇK-së.. “Ato vazhduan gjatë gjithë luftës dhe është e qartë se nuk kanë dalur nga një burim i vetëm. Disa nxjerreshin nga zonat operative”, tha Alagendra, njofton Klankosova.tv. Më tej, ajo bëri të ditur se gjatë bastisjes së shtëpisë së Krasniqit kur ai u arrestua janë gjetur dokumente të caktuara. “Nëse këto dokumente janë gjetur në këtë mënyrë dhe keqpërdorimi i kërkimit është tashmë para jush gjykatës, kjo nuk vërteton automatikisht se Krasniqi është autori i këtyre dokumenteve ose se ai i zotëronte këto dokumente në kohën material”. “Thjeshtë, gjetja e këtyre dokumenteve në shtëpinë e tij nuk i bën ato autentike. Kjo është një pikë e qartë, por duket se është keqkuptuar nga Prokuroria. Në fund të fundit, Krasniqi është shkrimtar dhe historian. Ai mbledh material për hulumtimet e veta dhe për librat e tij të shumtë. Ai ka mbledhur, i janë dhënë ose ka një koleksion të shumë dokumenteve ndër vite”, tha avokatja, njofton Klankosova.tv. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 10:13 – Avokatja e Jakup Krasniqit: Prokuroria duket se është pjesë e propagandës kundër UÇK-së Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka thënë se ajo që ka prezantuar prokuroria kundër klientit të saj nuk ka të bëjë asgjë me të. “Aktivitetet nuk mund të lidhen me asnjë krim që prokuroria pretendon se ka kryer Krasniqi. Krasniqi nuk kishte kompetenca që ia ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Aktakuza pretendon se Krasniqi ka marrë pjesë në krime në tri raste. Provat do ta tregojnë të kundërtën”, ka theksuar ajo, njofton KlanKosova.tv. Duke vazhduar argumentimin e saj, avokatja ka thënë se prokuroria mbivlerëson organizimin e UÇK-së, duke thënë se ka qenë më e organizuar sesa që ka qenë. “Kjo ishte një fantazi. Prokuroria duket se është pjesë e propagandës kundër UÇK-së, duke nxjerr dokumente nga çka ka qenë situata në terren. UÇK nuk e kishte strukturën e një ushtrie” Më tej Alagendra ka treguar periudhat në të cilat gjatë vitit 1999 Jakup Krasniqi nuk ka qenë në Kosovë. “Gjatë muajit shkurt ai ka qenë në Rambuje për negociata, më pastaj është kthyer në mars dhe nga prilli deri më 15 qershor, për tre muaj ka qëndruar në Shqipëri, pavarësisht periudhës së shkurtër që bëri një turne nëpër vendet perëndimore. Distanca fizike ka qenë e madhe”. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. Për ditën e tretë me radhë ka nisur gjykimi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë. Këtë të mërkurë fjalën e ka mbrojtja e Jakup Krasniqit derisa më vonë do të flasë edhe ai vetë, ku siç është paralajmëruar do të ketë një fjalim prej 25 minutash, njofton KlanKosova.tv. Në dy ditët e para argumentet e veta i kanë shpalosur fillimisht prokuroria dhe më pastaj mbrojtja e të akuzuarve, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.