“Shqipëria hap konsullatë në Luginë të Preshevës, Serbia në Shkodër” – Ministri Hoxha del me sqarime NULL NULL 30.07.2026 15:20 30.07.2026 15:20 Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka dalë me sqarime pas reagimeve që ka nxitur lajmi për mundësinë e hapjes së konsullatës shqiptare në Luginë të Preshevës dhe asaj të Serbisë në Shkodër. Sipas kryediplomatit shqiptar, interes kryesor i Shqipërisë mbetet hapja e një Konsullate të Përgjithshme shqiptare në Luginën e Preshevës. Ai ka thënë se Shqipëria ka kërkuar prej kohësh krijimin e një përfaqësie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, ndërsa sipas tij, Serbia gjithashtu ka paraqitur kërkesën e saj për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Hoxha ka thënë se se çdo hap do të ndërmerret vetëm pasi të ketë dakordësi mes palëve për të gjitha aspektet e procesit. “Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të na mundësojë të jemi më pranë qytetarëve shqiptarë, t’i mbështesim më drejtpërdrejt dhe të mbrojmë interesat e tyre legjitime,” ka shkruar Hoxha në një reagim në rrjetin social X. Ai ka theksuar reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve diplomatike dhe nuk duhet parë si një barazim mekanik i interesave apo objektivave të dy shteteve. Reagimet kundër, ai i ka kritikuar, pasi sipas tij, janë fokusuar tek mundësia e hapjes së konsullatës serbe në Shkodër, duke lënë në plan të dytë përfitimin që sjell për shqiptarët e Luginës së Preshevës krijimi i një përfaqësie diplomatike shqiptare. Në deklaratën e tij, Hoxha ka nënvizuar se politika e jashtme e Shqipërisë bazohet në interesin kombëtar, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave evropiane, e jo në emocione apo perceptime. “Ky është standardi ynë sot, por edhe standardi që Shqipëria synon të mbajë si vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi të vendosur ta përfaqësojmë këtë qasje në çdo vendimmarrje të politikës sonë të jashtme”, ka thënë kryediplomati shqiptar. /Klankosova.tv