E pazakontë: Nusja ia vë flakën kishës një ditë para dasmës NULL NULL 30.07.2026 14:39 30.07.2026 14:39 Foto nga Google Maps Një 25-vjeçare nga Utah, ShBA, është arrestuar pasi dyshohet se i vuri zjarr një kishe të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (LDS) vetëm një ditë para se të zhvillohej ceremonia e saj e martesës. Sipas dokumenteve gjyqësore dhe mediave lokale Fox 13, KUTV dhe ABC 4, policia e Kaysville u njoftua për një zjarr në kishën që ndodhet në West Center Street rreth orës 22:07 të mbrëmjes së 10 korrikut. Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët folën me familjarët, të cilët po përgatitnin ambientet për dasmën së bashku me nusen, Lenita Joy Moreno, dhe të fejuarin e saj. Ata deklaruan se, pak para se të largoheshin nga objekti, alarmi i zjarrit u aktivizua, transmeton Klankosova.tv. Familjarët kontrolluan ndërtesën dhe zbuluan flakët në një nga sallat e kishës. Ata arritën ta shuanin zjarrin duke përdorur ujë dhe një fikëse zjarri, përpara mbërritjes së zjarrfikësve. Hetimet paraprake treguan se zjarri kishte nisur poshtë një karrigeje, ku u gjetën disa sende të pazakonta, mes tyre edhe një tampon, i cili dyshohet se është përdorur për ndezjen e flakëve. Sipas policisë, dhëndri deklaroi se ai dhe Moreno kishin qenë në të njëjtën dhomë vetëm pak çaste përpara se të zbulohej zjarri. Gjatë hetimeve u zbulua gjithashtu se çifti kishte vizituar më herët gjatë ditës një dyqan Ace Hardware për të blerë materiale për përgatitjet e dasmës. Kamerat e sigurisë, sipas autoriteteve, kanë regjistruar Moreno duke marrë dy ose tre çakmakë pa i paguar. Ajo më vonë pranoi para policisë se kishte vjedhur diçka nga dyqani, por refuzoi të tregonte se çfarë. Autoritetet dyshojnë se çakmakët e vjedhur janë përdorur për ndezjen e zjarrit. Në dokumentet gjyqësore thuhet se Moreno dyshohet se ndezi zjarrin ndërkohë që pesë persona të tjerë ndodheshin ende brenda kishës. Po ashtu, hetuesit zbuluan se ajo nuk kishte siguruar lejen e martesës për ceremoninë e planifikuar për ditën pasuese, edhe pse kishte deklaruar të kundërtën. 25-vjeçarja u arrestua më 27 korrik dhe u dërgua në burgun e Qarkut Davis. Ajo përballet me akuza për zjarrvënie të rëndë, vjedhje në një biznes dhe dhënie të informacioneve të rreme ndaj një oficeri policie. Sipas autoriteteve, dëmet e shkaktuara nga zjarri në kishë vlerësohen në rreth 108 mijë dollarë.