Shqipëria barazon me Qipron në debutimin e Grupit E NULL NULL 09.04.2026 21:29 09.04.2026 21:29 Kombëtarja shqiptare e futsallit e ka nisur me një barazim 2:2 aventurën e saj në raundin paraeliminator të Grupit E për Kupën e Botës. Në një ndeshje të zhvilluar në Parkun Olimpik të Tiranës, “Kuqezinjtë” treguan lojë të mirë dhe dominuan për pjesën më të madhe të takimit, por nuk arritën të marrin fitoren. Trajneri Erind Resuli, zgjodhi ta nisë ndeshjen me formacionin titullar të përbërë nga Valdrin Mjeku në portë, ndërsa në fushë u rreshtuan Arbër Shkodra, Halim Selmanaj, Ermir Kryeziu dhe Arif Limani. Lojtarët shqiptarë, e nisën ndeshjen në mënyrë ideale, duke kaluar në avantazh falë golit të shënuar nga Halim Selmanaj. Megjithatë, reagimi i Qipros ishte i shpejtë dhe në minutën e 6-të Nikos Chadjigeorgiou riktheu baraspeshën. Në vijim, në minutën e 13-të, Qipro përmbysi rezultatin me golin e Costas Kouloumbris, duke vënë në vështirësi kuqezinjtë. Por përgjigjja nuk vonoi: vetëm një minutë më pas, Fabiano Tafa shënoi për 2-2, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë, shkruan Federata Shqiptare e Futbollit transmeton Klankosova.tv. Në pjesën e dytë, Kombëtarja shqiptare u shfaq më kërkuese dhe krijoi disa raste të mira për të kaluar sërish në avantazh, por mungoi konkretizimi para portës. Në minutat e fundit, kuqezinjtë iu afruan shumë golit të fitores, por goditja e tyre u ndal nga shtylla. Ndeshja përfundoi në barazim 2:2, duke lënë gjithçka të hapur për sfidat e radhës. Shqipëria do të rikthehet në fushë në ndeshjen e dytë të grupit ndaj San Marinos, e cila do të zhvillohet në orën 19:00, sërish në Parkun Olimpik të Tiranës.