Shqipëri: Policia me aksion të gjerë kundër trafikimit me njerëz, arrestohen katër zyrtarë policorë NULL NULL 12.04.2024 18:34 12.04.2024 18:34 Fotografi ilustruese Policia e Shtetit, mëngjesin e sotëm ka zhvilluar një operacion nëpër disa qytete kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka dhënë detaje nga ky operacion. Rrumbullaku tha se gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 1 milion euro, armë zjarri, celularë, automjete, etj. Ai tha gjithashtu se 4 efektivë policie kanë qenë të përshirë në këto veprimtari të paligjshme. Sipas tij, operacioni u krye nën drejtimin e SPAK, gjë që sipas tij tregon edhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy institucioneve. “Është vendosur me urdhër të SPAK caktimi i masave “arrest me burg” dhe “arrest me shtëpi”, “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Pezullimin e ushtrimit të detyrës në shërbimin publik” për 24 persona dhe janë shpallur në kërkim dy prej tyre të dyshuar për kryerjen e veprës penale ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, falsifikim dokumentash, grup kriminal dhe korruptim i punonjësve publik”. “Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 13 automjete, 50 telefona, 3 pistoleta, 1 çifte, 50 fishekë, 520 mijë lekë të reja, 400 mijë euro, 700 mijë dollarë amerikanë, 4 mijë paund, 2 doza kokaine, kanabis dhe dokumenta të falsifikuara”. “Hetimi i kryer nga Policia në rrethet Vlorë, Fier, Kukës, Durrës, Shijak dhe Tiranë, ku u vunë nën hetim edhe punonjës të Policisë. Ky hetim i shërbeu edhe Policisë për vetëpastrimin e saj. Për 4 punonjësit e Policisë të përfshirë në këtë aktivitet kanë nisur procedurat përkatëse. Operacioni i sotëm është dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe Policisë”, tha Rrumbullaku.