Shpëtohen pesë persona në Gjirin e Durrësit, gomonia e tyre po fundosej për shkak të motit të keq NULL NULL 31.07.2025 19:39 31.07.2025 19:39 Foto nga Policia e Shtetit Pesë persona janë shpëtuar sot në afërsi të Gjirit të Durrësit, pasi sipas policisë, gomonia e tyre po fundosej për shkak të motit të keq. Policia, përmes një postimi, ka bërë të ditur se që të pesë personat kanë rezultuar në gjendje të mirë shëndetësore, pas daljes në bregdet, transmeton Klankosova.tv. “Mesditën e sotme, gjatë patrullimeve në të gjithë hapësirën detare të qarkut, shërbimet e Njësisë Policore Detare konstatuan, në afërsi të Gjirit të Durrësit, 5 shtetas që kërkonin ndihmë, pasi gomonia e tyre rrezikonte të fundosej për shkak të erërave të forta. Menjëherë pas konstatimit, efektivët e Njësisë, me mjete lundruese, ndërhynë në kohë dhe bënë të mundur nxjerrjen në breg të qytetarëve, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore”. “Njësia Policore Detare fton çdo qytetar apo turist që ndodhet në vështirësi dhe ka nevojë për ndihmë, të kontaktojë menjëherë. Reagimi ynë do të jetë i shpejtë, profesional dhe i specializuar”, thuhet tutje në njoftim.