Shkon në 30 numri i të vdekurve nga zjarri në Bangkok, autoritetet hetojnë për neglizhencë NULL NULL 14.07.2026 07:25 14.07.2026 07:25 Foto nga BBC Autoritetet tajlandeze kanë nisur hetime për të përcaktuar nëse neglizhenca ishte shkaku i zjarrit vdekjeprurës që shpërtheu të dielën vonë në një lokal nate në Bangkok. Të mbijetuarit kanë deklaruar se disa nga dyert e lokalit ishin të mbyllura, ndërsa mungonin shenjat që tregonin daljet emergjente, duke e bërë të pamundur evakuimin e shpejtë të klientëve, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv. Sipas policisë, përdorimi i materialeve shumë të ndezshme për dekorimin e ambientit mund të ketë ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve. Zjarri dyshohet se ka nisur pranë skenës së lokalit. Drejtori i Policisë, Gjenerali Kittiratt Phanphet, deklaroi se rrethanat e deritanishme “tregojnë mungesë kujdesi dhe shpërfillje të sigurisë së klientëve”. Bilanci tragjik ka arritur në të paktën 30 viktima, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ekipet e emergjencës gjetën shumë prej viktimave në tualetet në fund të lokalit, ku ekspertët besojnë se ata u përpoqën të strehoheshin ose të gjenin një rrugëdalje, por mbetën të bllokuar nga flakët dhe tymi.