Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Sëmundjet autoimune të politikës kosovare

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 10.12.2025 08:00

Mos u harroftë.

Kjo thënie e moçme popullore duket se i ri më së miri ditëve dhe javëve të fundit të këtij viti politik në Kosovë. Dhe jo vetëm politik.

Ishte ky vit i një ngecjeje të madhe në të gjitha aspektet e mundshme në Kosovë. Mbi të gjitha, i ngecjes politike.

Pamë dhe ishim dëshmitarë të një fenomeni që ndodhi për herë të parë në këtë historikun e demokracisë 25 vjeçare në Kosovë. U mbajtën zgjedhjet parlamentare  (të parat të rregulltat në shtetin e Kosovës), askush nuk pati vërejtje në organizimin e tyre  (dhe këtu siç dihet jemi më të mirët në gjithë rajonin), rezultatet e tyre u pranuan prej të gjithëve, dhe pastaj hymë në një krizë të thellë politike, ku mezi krijuam Kuvendin e ri dhe dështuam në formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Për këtë shkak, siç e dimë të gjithë, këtë vit do ta përfundojmë, ashtu siç edhe ia nisëm: Me zgjedhje parlamentare.

Rendi do të ishte që të gjithë politikanët tonë, pa marrë parasysh se cilës parti i takojnë dhe me cilat ngjyra politike do të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, të nxjerrin mësime nga kjo ngecje e madhe e vitit 2025, që nisi t’i gërryejë themelet e demokracisë parlamentare.

Zgjedhjet mbahen për ta legjitimuar pushtetin e ri. E jo për ta mos e krijuar atë. Dhe jo për ta humbur krejt një vit  (së paku), duke u marrë me njeri-tjetrin, në kohën kur në Evropë janë në trajtim e sipër temat madhore, të shkaktuara, para se të gjithash si pasojë e marrjes me politikën agresive dhe kërcënuese të Rusisë.

Një vit i humbur është shumë për një njeri të vetëm, pos nëse ai vuan nga një sëmundje të rëndë, ku duhet t’i përkushtohet shërimit prej saj.

Një vit i humbur është shumë më tepër për një shoqëri të tërë, për një vend dhe për një skenë politike, e cila u përshkua gjatë këtij viti me një ‘sëmundje autoimune’, shumë të rrezikshme për vete dhe për të gjithë neve.

Degradimi i politikës si të tillë, vetë-rrënimi i parlamentarizmit demokratik, kontestimi i aftësisë për të ndërtuar pushtet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, vijojnë me lodhjen e pritshme të qytetarëve nga politikanët, nga shtimi i dyshimit të tyre që ia vlen të votohet dhe të merret pjesë në zgjedhje.

Politika dhe politikanët janë të thirrur të zgjidhin probleme. Dhe jo t’i shkaktojnë ato. Dhe jo, madje, t’i prodhojnë ato  (probleme) në mënyrë sistematike, siç na ndodhi neve gjatë gjithë këtij viti.

Por ja që është vështirë, pak më shumë se dy javë para se sërish t’i vizitojmë qendrat e votimit, ta sigurojmë veten dhe të tjerët që njëmend, pas 28 dhjetorit, apo pas zgjedhjeve të dhjeta  (jubilare) parlamentare, do të hymë në mënyrë të rregullt, pa vonesa të reja, pa ngërçe të reja, në një periudhë kur duke i respektuar afatet kushtetuese dhe ligjore, do të bëhemi me Kuvend dhe me Qeveri të re, madje, do ta krijojmë masën kritike në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Presidentit të vendit.

Këto përfundime aspak optimiste janë reflektim fare racional i përvojës aspak të mirë të politikës kosovare gjatë vitit 2025.

Për këtë shkak u përmend fare në fillim ajo urtia popullore në formën e mendimit të qartë: Mos u harroftë.

Do t’i vuajmë gjatë pasojat politike të vitit 2025. Këtu nuk ka dyshim. Megjithatë, do të ketë mundësi që kjo politikë dhe vendi vet, të nisin të këndellen nëse në tremujorin e parë të vitit 2026, do të bëhemi me Kuvend, me Qeveri dhe me President.

Në këtë mënyrë do ta zinim disi hapin me zhvillimet që na presin këtu në Kosovë, në rajon dhe në Evropë.

Nëse sërish do të dështojmë të bëhemi me pushtet të mirëfilltë pas këtyre zgjedhjeve, apo, nëse prapë do ta kërkojmë shtegdaljen në votimet e reja, atëherë, ne do të nisim t’i ngjajmë një lojtarit të lotarisë i cili për çdo javë harxhon të gjitha paratë e veta në tiketat që nuk i sjellin kurrfarë fitimi.

Ndërsa shteti nuk është lojë fati.

 

 

 

lajme të ngjashme