Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Sekuestrim historik në Australi, policia zbulon drogë në bunkerë nëntokësorë

NULL NULL
22.06.2026 08:43

Policia australiane ka sekuestruar 2.7 ton kokainë në një operacion të madh në perëndim të Sidneit, duke shënuar konfiskimin më të madh të këtij lloji të drogës në historinë e Australisë.

Lënda narkotike, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 816 milionë dollarësh australianë (500 milionë euro), u zbulua të premten në një sistem bunkerësh të fshehur nën dysheme të rreme në tre kontejnerë transporti, në një pronë në zonën e Londonderry, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Dy persona, të moshës 21 dhe 25 vjeç, të cilët dyshohet se tentuan të largoheshin nga vendngjarja kur mbërriti policia, u arrestuan dhe u akuzuan për posedim të një sasie komerciale të një droge të importuar në mënyrë të paligjshme.

Sipas autoriteteve, kokaina ishte futur në Australi përmes qytetit të vogël Midge Point në Queenslandin Verior, me urdhër të një grupi të organizuar kriminal.

Të dy të arrestuarit dolën para gjykatës të shtunën dhe u lanë në paraburgim. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me dënim të përjetshëm.

Policia bëri të ditur se bastisja ishte pjesë e operacionit të koduar “Minjiang”, i nisur në muajin maj pasi rreth 40 kilogramë kokainë u gjetën duke lundruar pranë një rampe për varka në Midge Point.

Hetimet që pasuan çuan në arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj gjashtë personave të tjerë në Queensland dhe New South Wales.

Autoritetet kanë ndaluar gjithashtu një anije të dyshuar si “anija mëmë” e rrjetit të trafikimit, e cila ndodhej në Ishujt Solomon.

Megjithëse është një vend relativisht i izoluar gjeografikisht, Australia mbetet një nga tregjet më fitimprurëse për trafikimin e kokainës. Sipas të dhënave të monitorimit të drogës nga Universiteti i New South Wales, një gram kokainë mund të shitet deri në 300 dollarë australianë në tregun e paligjshëm.

Raporti Botëror për Drogat i Kombeve të Bashkuara ka treguar gjithashtu se Australia dhe Zelanda e Re regjistrojnë ndër normat më të larta të konsumit të kokainës në botë.

Komandanti i Policisë Federale Australiane, Stephen Jay, deklaroi se rasti tregon nivelin e lartë të organizimit të rrjeteve kriminale dhe përpjekjet ekstreme që ato bëjnë për të siguruar fitime të mëdha.

“Hetimet për origjinën e drogës vazhdojnë. Ne do të bashkëpunojmë me partnerët tanë vendas dhe ndërkombëtarë për të identifikuar sindikatat kriminale dhe të gjithë personat e përfshirë në këtë tentativë të dyshuar për import droge,” tha ai./Klankosova.tv

lajme të ngjashme