Sami Lushtaku, i vetmi ish-komandant i UÇK-së me pozitë udhëheqëse (VIDEO) NULL NULL nga Haris Ademi 30.11.2021 20:35 nga Haris Ademi 30.11.2021 20:35 Sami Lushtaku iu kthye zyrës ku udhëhiqet Komuna e Skënderajt. Por tash si numri dy, pas kryetarit të ri, Fadil Nura. Ish-komandanti që udhëhoqi me Zonën Operative të Drenicës, të paktën tash për tash, do të jetë i vetmi ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare që ka pozitë udhëheqëse shtetërore. Këtë epitetin e fundit, nga e marta e humbi ish-komandanti i Zonës Operative të Shalës, Rrahman Rama, që dha dorëheqje nga pozita e kreut të FSK-së. Post në institucione nuk ka as Ramush Haradinaj, dikur udhëheqës i UÇK-së në Dukagjin, më pas edhe dy herë kryeministër. Partia e tij, AAK, është opozitë në parlament. Ulëse në Kuvend, por as në institucione të shtetit, nuk ka as ish-anëtari i Shtabit të përgjithshëm, Fatmir Limaj që udhëheq me NISMA-n. Njësoj as Rrustem Mustafa i Llapit, Ahmet Isufi i Karadakut e Shukri Buja i Nerodimes. Kurse ish-bashkëluftëtarët e tyre që më pas ishin kryeministra, ministra e ambasadorë, Agim Çeku, Rrustem Berisha e Sylejman Selimi, së fundmi janë aktivizuar me një organizatë të emëruar “Kodi i Gjeneralit”, që do të merret me tema ushtarake. E katër ish-eprorë të UÇK-së kanë një fat më ndryshe se këta paraprakët. Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi gjenden në Hagë ku po përballen me akuzat e Gjykatës Speciale për krime lufte. Ish-drejtori politik i UCK-së, Thaçi u detyrua të largohet nga posti i presidentit, Veseli ta lëshojë pozitën e kryetarit të Partisë Demokratike si edhe atë te deputetit, sikur Selimi që në këtë cilësi ishte edhe shef i grupit parlamentar te Vetëvendosjes. E Krasniqi, që dikur ishte kryetar Kuvendi, kaherë ishte tërhequr nga postet drejtuese shtetërore.