Rrahmani dhe Gjimshiti në formacionin e javës në Serie A NULL NULL 05.01.2026 17:16 05.01.2026 17:16 Berat Gjimshiti dhe Amir Rrahmani kanë qenë ndër protagonistët kryesorë të fundjavës së kaluar në Serie A, duke dhënë kontribut vendimtar në fitoret e Atalantës dhe Napolit. Atalanta triumfoi 1-0 në Bergamo ndaj Romës, në një ndeshje ku Gjimshiti zhvilloi një paraqitje shumë solide. Mbrojtësi kuqezi u dallua për sigurinë në prapavijë dhe reagimin e tij profesional, duke marrë përgjegjësi pas humbjes së javës së mëparshme ndaj Interit. Nga ana tjetër, Amir Rrahmani shkëlqeu në fitoren 0-2 të Napolit në transfertë ndaj Lazios. Kapiteni i Kosovës realizoi një gol dhe zhvilloi një performancë të nivelit të lartë, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të takimit. Dy mbrojtësit shqiptarë janë përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në Serie A sipas Sofascore. Rrahmani u vlerësua me notën 8.0, ndërsa Gjimshiti mori notën e lartë 8.9, e njëjtë me Marcus Thuram. Në formacionin më të mirë të javës bëjnë pjesë edhe emra të njohur si Lautaro Martinez, Marcus Thuram dhe Kenan Yildiz, duke konfirmuar nivelin e lartë të konkurrencës dhe paraqitjeve në kampionatin italian. /Klankosova.tv