Ramë Lahaj, tenori që po bën bujë në Australi NULL NULL 06.07.2015 16:00 06.07.2015 16:00 Ramë Lahaj është një tenor kosovar i lindur në Istog. Por Kosova nuk është vendi që ai ka zgjedhur ta ushtrojë profesionin e tij. Një teatër i famshëm në kryeqytetin australian, Sydney, ku shfaqen opera, i ka dhënë një vend mjaft të rëndësishëm tenorit Lahaj. Ai ka performuar në shtëpinë e operas në Australi – Sydney, operën e famshme muzikore La Traviata. “Ky produksion është mjaft i famshëm dhe i pëlqyeshëm, por debutimi i sopranes Lorina Gore dhe i tenorit Ramë Lahaj në Shtëpinë e Operas Australiane, i kanë dhënë mbrëmjes shumë shkëlqim”, shkruan Simon Parris, një kritik i muzikës profesionale të teatrove, i operas dhe baletit, në një kritikë dhënë shfaqjes së Lahajt, raporton Klan Kosova. “Gore dhe Lahaj kanë performuar shkëlqyeshëm rolin e Violetës dhe Alfredit”. “I ardhur nga Kosova, Lahaj ka qenë tenori që e ka luajtur më së miri rolin e Alfredos, qysh kur Gianluca Terranova e ka interpretuar këtë rol në hapjen e Handa Opera në Sidney. Lahaj është një aktor i mrekullueshëm. Ai e përcjell me shumë emocione karakterin e Alfredit te publiku, i cili shndërrohet nga një adhurues i zjarrtë në një dashnor të pasionuar, deri në zemërimin e tij të pa mend dhe te pikëllimi. Tenori kosovar përcjell shumë bukur takimin e parë dhe të turpshëm me Violetën”, thuhet në artikull. Ai ka lënë shumë përshtypje me këndimin dhe aktrimin e tij në skenën e teatrit të madh australian. Lahaj 32 vjeçar, e ka filluar karrierën muzikore kur ishte 21 vjeç dhe ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 2008. Së fundmi prezenca e tij në teatrot e kryeqyteteve botërore i ka dhënë tenorit mjaft famë. Deri më tani ai ka fituar dy çmime prestigjioze në gara ndërkombëtare. Lahaj është fitues i çmimit “Riccardo Zandonai”, nga gara Riva del Garda në Itali, dhe i çmimit “Ritorna Vincitore”, garë kjo në Napoli të Italisë. Rolet e tij në operat e mirënjohura si Macbeth, La Traviata dhe Rigoletto të shfaqura në operat e Hungarisë, Gjermanisë, Italisë, Londrës e Spanjës, konsiderohen si suksese të tenorit.