Rama: Prioritet absolut janë nevojat e qytetarëve, asnjë kalkulim politik mbi ta NULL NULL 27.11.2025 15:33 27.11.2025 15:33 Kuvendi Komunal i Prishtinës ka zhvilluar një seancë të jashtëzakonshme, gjatë së cilës u diskutuan dy çështje të rëndësishme për funksionimin financiar dhe planifikimin afatgjatë të kryeqytetit. Në rend dite ishin propozimi për bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024 në vitin 2025, si dhe miratimi i buxhetit komunal për vitin 2026. Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të Kuvendit, kryetari Përparim Rama theksoi përkushtimin e tij për të qenë vazhdimisht pranë qytetarëve dhe për të adresuar nevojat e tyre me prioritet. “Këtu nuk jemi për politika ditore, por për vendime të mëdha që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Para nesh janë dy vendime thelbësore për funksionimin normal të kryeqytetit. Kemi bartjen e mjeteve nga viti paraprak në vlerë prej 28 milionë eurove, dhe votimin e buxhetit për vitin 2026-të”, tha Rama. “Në këtë situatë të ndjeshme financiare dhe institucionale, prioritet absolut janë nevojat e qytetarëve, asnjë kalkulim politik nuk guxon të vihet mbi nevojat e tyre. Fondet që po i trajtojmë sot do të shfrytëzohen menjëherë për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike, për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet bazike të kryeqytetit”, shtoi ai. I pari i kryeqytetit i bëri edhe njëherë thirrje ministrit në detyrë të Financave Hekuran Muratit, që t’i miratojë 35 milionë eurot që i takojnë kryeqytetit prej tyre 25 milionë të hyra vetanake dhe 10 milionë grante. Në këtë seancë po marrin pjesë 41 asamblistë. Ndërkohë Vetëvendosje dhe PDK-ja konfirmuan se do të votojnë këtë seancë.