Rama: Po punohet për Samitin e NATO-s në Tiranë – shpejt hapim grup-kapitullin e ri me BE-në NULL NULL 10.06.2025 09:44 10.06.2025 09:44 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama lajmëroi se ka filluar puna për Samitin e NATO-s në Tiranë. Ai deklaroi se Shqipëria po vijon me ritëm procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se së shpejti pritet të hapet një tjetër grup kapitujsh. Rama theksoi se qëllimi mbetet hapja e të gjithë kapitujve brenda një afati të arsyeshëm. Duke u ndalur te Samiti i Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur së fundmi në kryeqytetin shqiptar, Rama në rubrikën “Sy m’sy”, si një hapësirë e posaçme komunikimi për t’iu përgjigjur sa më shumë qytetarëve që komentojnë në rrjetet sociale për çështje të ndryshme të aktualitetit, e cilësoi atë si një sukses të jashtëzakonshëm, “jehona e të cilit vazhdon ende në korridoret e politikës evropiane”. Ndërkohë, kryeministri shqiptar konfirmoi se ka nisur puna për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, një ngjarje që kërkon përgatitje shumëvjeçare. “Grupi i inspektimit nga NATO në Bruksel ka ardhur për të analizuar opsionet dhe për të inventarizuar kapacitetet tona logjistike dhe infrastrukturore”, tha Rama. Ai foli edhe për investimet e huaja duke thënë se janë në diskutime në fushën e zhvillimit ekonomik, turizmit, teknologjisë si edhe inteligjencës artificiale. /Klankosova.tv