Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Qumështorja VITA: Ministër, qiti rezultatet e analizave të mostrave

NULL NULL
16.07.2026 15:58

Qumështorja “Vita” ka dalë me një deklaratë për media, ku i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të publikojnë rezultatet e analizave të mostrave të marra më 2 korrik.

Në reagimin e saj, kompania rikujton se më 6 korrik kishte njoftuar rifillimin e grumbullimit të qumështit nga fermerët, pas një takimi me ministrin në detyrë të Bujqësisë dhe përfaqësuesit e AUV-së, gjatë të cilit ishte premtuar se rezultatet do të publikoheshin jo më vonë se 13 korriku.

Megjithëse tashmë është 16 korrik, rezultatet ende nuk janë bërë publike, pavarësisht emaileve dhe kërkesave zyrtare që kompania thotë se ia ka drejtuar Ministrisë dhe AUV-së.

“Siç jeni vënë në dijeni më datë 06.07.2026 nga Qumështorja Vita, kemi njoftuar opinionin publik dhe fermerët, se do të rifillojmë menjëherë me grumbullimin e qumështit nga fermerët, pasi që gjatë takimit të mbajtur më datë 06.07.2026, Ministri Muja dhe përfaqësuesit e AUV, na patën premtuar se do të publikojnë rezultatet e analizave të mostrave, jo më larg se data 13.07.2026.

Sot jemi me datë 16.07.2026 dhe pavarësisht shumë emailave dhe kërkesave zyrtare të drejtuara Ministrisë dhe AUV, rezultatet e analizave të mostrave po mbahen në AUV dhe nuk po publikohen nga Ministria apo AUV.

Ne si Qumështore Vita nuk e kemi të qartë se për çfarë arsye AUV nuk është në gjendje që të na përcjellë rezultatet e analizave të marra më datë 02.07.2026. Pra, kanë kaluar më shumë se 2 javë nga data e marrjes së mostrave, kurse rezultatet e mostrave të marra në Dogana nga produktet e importuara, publikohen brenda ditës.”

Vita është e bindur për cilësinë e produkteve të saj, duke theksuar se rezultatet nuk mund të jenë ndryshe “përveçse 100 për qind qumësht”, por kërkon që analizat të publikohen sa më parë, në mënyrë që të hiqen të gjitha dyshimet e ngritura.

Në deklaratë, kompania thekson se fermerët “nuk meritojnë heshtje”, qytetarët “nuk meritojnë paqartësi”, ndërsa shton se Kosova meriton institucione që mbajnë fjalën e dhënë.

“Ne i dimë rezultatet, sepse e dimë se çka përpunojmë dhe punën si e bëjmë. Rezultatet nuk mund të jenë ndryshe, përveçse 100% qumësht. Por, kërkojmë që me urgjencë dhe menjëherë të na dërgohen rezultatet e analizave të mostrave të datës 02.07.2026, në mënyrë që edhe ata që kishin dyshime, të binden se Qumështi Vita është 100% qumësht.

Fermerët nuk meritojnë heshtje. Qytetarët nuk meritojnë paqartësi.

Kosova meriton institucione që mbajnë fjalën e dhënë!

VITA do të vazhdojë të qëndrojë në anën e fermerëve, të transparencës dhe të së vërtetës. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari publikimin e plotë të fakteve, sepse vetëm faktet mund t’u japin fund spekulimeve dhe të rikthejnë besimin e qytetarëve.

Ministër, AUV, qiti rezultatet!”. /Klankosova.tv

 

lajme të ngjashme