“Qka janë tranu kto gra mare”, komentet e burrave në rrjete sociale (VIDEO) NULL NULL 09.05.2024 20:20 09.05.2024 20:20 Grupi Albkings në Telegram Në grupin e mbyllur famëkeq “Albkings” qenë të papërmbajtur, por si duket shumë nga ata që e quajtën vetën “mbretër shqiptarë” nuk po mund të përmbahen as në grupe të tjera të jashtme. Pas raportimit për shpërndarjen e numrit të telefonit të gazetares së Kiks Kosova, Ardiana Thaçi Mehmeti në grupin online “Albkings”, përmes së cilit po synohet degradimi i figurës së grave, komentet në rrjete sociale vërshuan. E kjo ngjarje e fundit u dha edhe një herë hapësirë disa burrave që përmes Facebook-ut, Instagramit e Tik-tok-ut, ta shfryjenë frustrimin e urrejtjen ndaj grave. Të gjitha këto u bënë pasi emisioni Kiks Kosova publikoi disa prej shkrimeve, bisedave e thirrjeve që dhjetëra burra ia bënë gazetares. Madje për shkak të thirrjeve e mesazheve që Ardiana mori nga këta persona, shumë prej tyre ia lënë fajin asaj, veprimin e së cilës e vlerësuan provokim. “Qyre far gazetare provokuese, shumë idiote. Aj shumë i sinqertë u sill mirë. Kjo e ngrehi vet e shtini llugave”, “Edhe ksaj ja kona”, “Po edhe ti sje për mashallah”, “Me të thirr naj sheik se publikon hiq”. Imagjinata e tyre shkoi aq larg sa shumë nga ta ishin të bindur se gazetarja vetë e publikoi numrin e saj në atë grup. Madje sipas tyre kjo u bë me qëllim të klikimeve. “Vet po provokoni e masnej për klikime e bani kështu, se mundesh as mos me bisedu e me ja hap telefonin”, “Hajt se vet e ke publiku numrin në atë faqe e tash po asht gru e ndershme”. Përmes komenteve u shfaq solidarizimi e përkrahja e njëri-tjetrit për shpërndarjen e fotove e videove intime, numrave të telefonit e kontakte të tjera të vajzave të të gjitha moshave në këto grupe. “Po pse asht shpërnda numri yt? Edhe ky normal se të kontakton se nuk është gej”, “O burra nuk keni nevojë me u marr me ksi gjana, hajdi në Ferizaj dhe muni mu lodh tu hmmm, femra ka llom llom femra”, janë komentet tjera. Ndryshe nga komentet negative, aty nuk munguan as lëvdatat për raportimin që bëri Kiks Kosova lidhur me këtë grup. Thirrjet ishin të shumta për burgimin e atyre që synojnë degradimin e figurës e dinjitetit të vajzave e grave. “Për këta që i shqetësojnë gratë e huja, duhet mi burgos këta psikopata. Respekt për këtë motër gazetare”, “Kishte me qenë mirë të publikohen me emer mbiemër e foto”, “Njerëz të ulët. Të lumtë gazetare, kështu duhet shkatërrue këtë grup”. Ndërkaq, thirrjet ishin të shumta për gratë e vajzat që kanë rënë pre e këtyre grupeve, rastet e tyre t’i lajmërojnë në Policinë e Kosovës. Mirëpo si duket, jo të gjitha nga to po kanë guxim të lajmërojnë në polici këto raste. Kjo për shkak të mos përkrahjes nga familja dhe frika nga paragjykimet e shoqërisë. Megjithatë në adresën e Kiks Kosovës kanë ardhur edhe shumë mesazhe anonime nga vajza, të cilat kanë rënë pre e këtyre grupeve. Ato janë shprehur të zhgënjyera për siç kanë thënë ato mos marrjen seriozisht të rasteve të tyre.