Qeni vret aksidentalisht pronarin me armë zjarri NULL NULL 26.01.2023 11:45 26.01.2023 11:45 Një gjuetar në Kansas është qëlluar për vdekje nga qeni i tij, pasi ai shkeli aksidentalisht këmbëzën e pushkës së tij. Joseph Smith, 30 vjeç, ishte në ulësen e pasagjerit të kamionit të tij në Geuda Springs pranë kufirit me Oklahoman, të shtunën vonë, ndërsa qeni i tij ishte në pjesën e pasme me pajisje gjuetie, duke përfshirë një pushkë, raporton “The Telegraph”. “Një qen që i përkiste pronarit të kamionit shkeli pushkën duke shkaktuar shkarkimin e armës”, tha Zyra e Sherifit të Qarkut Sumner, transmeton Klankosova.tv. “Plumbi i shkrepur ka goditur pasagjerin i cili ka vdekur në vendngjarje për shkak të plagëve të marra”. Policët mbërritën brenda disa minutave nga një telefonatë 911 dhe filluan t’i japin ndihmën e parë, por Smith u shpall i vdekur, thanë autoritetet. Një “GoFundMe” filloi në emër të familjes së Smithit, i cili punonte si hidraulik, në mënyrë që të ndihmohej me shpenzimet e funeralit dhe përkujtimit. Një mik i tij doli kundër atyre që po talleshin me rrethanat e vdekjes së Smithit. “Për të gjithë komedianët dhe ekspertët e armëve këtu – ky djalë ishte shoku im, dhe kam qenë miku më i mirë për më shumë se 20 vjet me babanë e tij”, shkroi Jimmy White nga Wichita. “Këto komente janë me urrejtje”. “Unë e njoh shumë mirë këtë familje dhe nuk mund t’ju them se sa shumë i dhemb zemra atyre tani. Turp të keni”. Fotot në faqen e Facebook të Smithit e shfaqnin atë me një qen ngjyrë kafe, me madhësi të mesme, që mendohet të jetë një pitbull terrier amerikan. Të shtëna nga qentë Vrasjet e pronarëve nga kafshët e tyre janë të rralla, por jo të padëgjuara. Në nëntor, një burrë 32-vjeçar në Turqi thuhet se u qëllua dhe u vra nga qeni i tij pasi qeni shkeli këmbëzën e një pushke gjahu. Ozgur Gevrekoglu u vra ndërsa po dilte për gjueti me mikun e tij në Rrafshnaltën Kizlan, në provincën Samsun të Turqisë, raportoi gazeta “Turkiye”. Në vitin 2018, një burrë nga Nju Meksiko u qëllua aksidentalisht në shpinë nga qeni i tij ndërsa ishte në gjueti lepuri. Shumë njerëz në të gjithë SHBA-në janë plagosur ose qëlluar për vdekje nga qentë me armë zjarri vitet e fundit, duke intensifikuar thirrjet për kontroll më të mirë të armëve dhe masa sigurie. /Klankosova.tv